Mbyllen pa rezultate bisedimet Kosovë-Serbi në Paris

0

Rifillimi zyrtar i bisedimeve në Bruksel midis Serbisë dhe Kosovës, i planifikuar për të dielën, është shtyrë për javën e ardhshme pasi një samit i ndërmjetësuar nga Gjermania dhe Franca në Paris për dialogun nuk dha shumë fryte.

Samiti u realizua nëpërmjet një video-konference, në prani të kancelares gjermane Angela Merkel, presidentit francez Emmanuel Macron, kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Në fjalën e tij, Hoti tha se dialogu duhet të udhëhiqet nga parimi se tërësia territoriale e Kosovës ishte e panegociueshme, se organizimi i saj kushtetues nuk do të preket dhe se çdo marrëveshje me Serbinë duhet të jenë në përputhje të plotë me kushtetutën e Kosovës. Hoti tha se njohja e ndërsjellë me Serbinë ishte rezultati i vetëm i pranueshëm i dialogut për Kosovën.

Ai renditi pesë objektiva të dialogut për palën e Kosovës.

“Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të sjellë një njohje reciproke”, tha Hoti.

Rezultatet e tjera ishin njohja e Kosovës nga pesë vendet e mbetura të BE-së që nuk e kanë bërë këtë, anëtarësimi në OKB dhe anëtarësimi në “organizatat e tjera ndërkombëtare dhe shfaqja e një hapjeje të qartë të perspektivës europiane për Kosovën”.

“E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, personat e zhdukur nga lufta e viteve 1990 dhe viktimat e të gjitha formave të dhunës, dëmet e luftës, viktimat, janë çështje me shqetësimin tonë maksimal në këtë proces”, tha Hoti.

Pas takimit, presidenti i Serbisë tha se kishte qenë një “bisedë e vështirë”.

“Thashë se nëse ky është thelbi i çdo gjëje për të cilën ata duan të diskutojnë, atëherë gjithçka është plotësisht e pakuptimtë”, u tha Vuçiç gazetarëve pas takimit, pasi lexoi kërkesat e Kosovës.

Ai njoftoi gjithashtu se rifillimi i dialogut, i planifikuar për të dielën, ishte shtyrë për të enjten e javës së ardhshme.

“Tani çdo gjë ka ndryshuar. Do të kemi një video-konferencë të dielën dhe vazhdimi  i dialogut është planifikuar për të enjten në Bruksel, me pjesëmarrjen e të dy delegacioneve”, tha Vuçiç.

Takimi erdhi pasi një tjetër nismë për të rifilluar bisedimet dështoi, kur një takim i planifikuar të mbahej në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor u shty.

Kjo erdhi pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar me qendër në Hagë publikoi një aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili po planifikonte të përfaqësonte Kosovën në takim