Bashkimi Evropian i ka hapur rrugën zhvillimit të Konferencës së Tretë Ndërqeveritare me Shqipërinë.
Njoftimi bëhet me dije nga presidenca hungareze, e cila thekson se në këtë takim do të hapet kapitulli i ‘Marrëdhënieve me jashtë’. Takimi do të mbahet më 17 dhjetor 2024, në kuadër të presidencës hungareze të BE-së dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit të vendit tonë në BE.
Njoftimi i Plotë:
Takimi i tretë i Konferencës së Aderimit me Shqipërinë në nivel ministror do të mbahet në Bruksel më 17 dhjetor 2024. Takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për Klasterin 6: Marrëdhëniet e jashtme, duke përfshirë kapitujt e mëposhtëm negociues:
Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme
Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Bazat; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet e jashtme. BE ka hapur tashmë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë për Klasterin 1: Bazat.