Më 7 mars votohet në Vaud: Rast për shqiptarët të zgjedhin të preferuarit e tyre

Në zgjedhjet për asambletë komunale në kantonin Vaud, që mbahen më 7 mars 2021, garojnë nëpër parti të ndryshme politike zvicerane me dhjetëra kandidatë shqiptarë. Ky numër tregon rritje në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Për komunitetin e huaj këto zgjedhje në nivel komunal kanë po ashtu një rëndësi të madhe, ngase i jepet mundësi çdo qytetari që jeton më shumë se 10 vjet në Zvicër dhe 3 vjet në kantonin Vaud të votojë për çështje që kanë të bëjnë me menaxhimin e qytetit, shkruan Albinfo.ch.

Kushtetuta e kantonit Vaud mundëson që krahas konfrontimit të ideve mes partive politike për programet e tyre, të merret parasysh edhe bindja e qytetarëve të huaj që të dalin ta ushtrojnë këtë të drejtë të votës që është një sfidë e këtyre zgjedhjeve.

Vendin e këshilltarit nëpër komunat e këtij kantoni para katër vjetëve e kishin fituar 15 politikanë shqiptarë, përfshirë edhe kryeqytetin, Lozanën, ku për herë të parë është zgjedhur politikani Musa Kamenica, i cili garon edhe në këto zgjedhje.

Sipas këtij rezultati, numri i këshilltarëve me kombësi shqiptare në komunat e kantonit Vaud mund të thuhet se është në rritje në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Megjithatë, edhe në këto zgjedhje mbetet shumë për t’u bërë që të ngrihet më lart vetëdijesimi i shqiptarëve për të votuar, kur dihet se të drejtë vote kanë dhe të huajt me leje qëndrimi të përhershëm (C).

Për elektoratin e heshtur shqiptar dhe mundësinë e sensibilizimit të tij për të votuar, kanë folur disa nga kandidatët shqiptarë në një debat virtual të organizuar nga platforma albinfo.ch.

Në zgjedhjet e vitit 2016 participimi i të huajve në kantonin Vaud ka qenë 25.6%, pak më i lartë se ne vitin 2011, kur ishte regjistruar 23 për qind. Numri më i lartë i pjesëmarrjes ka qenë ne vitin 2006, me 26.9%, ku ishte edhe hera e parë që të huajt kishin drejtë vote në nivelin komunal.

Pikërisht për senzibilizimin e të huajve për të votuar në zgjedhjet e sivjetme komunale kishte lansuar një fushatë edhe qyteti i Llozanës.

Në Lausanne pjesëmarrja e të huajve në zgjedhjet e fundit lokale ishte 19.5%. Edhe në këto zgjedhje shqiptarët nuk garojnë vetëm me Partinë Socilademokrate, por edhe në partitë e djathta ose të qendrës./Albinfo.ch