Me flokët e qerpikët e ngrirë, ja si ka ndryshuar pas një viti “fëmija akull”

0

Para një viti, në rrjetet sociale dhe në të gjithë botën u publikua një fotografi ku shihej një fëmijë 8 vjeç, Wang Fuman, në klasën e tij në fshatin e Yunnan në Kinë.
Në ato foto, shihej një fëmijë me flokët e qerpikët të ngrirë. Ai u etiketua si “fëmija akull”. Për të shkuar në shkollë, vogëlushi Wang Fuman, detyrohej që të ecte çdo ditë nga shtëpia e tij mes baltës për thuajse pesë kilometra, edhe kur temperaturat shkonin nën zero.

Rasti i djalit u pa nga miliona njerëz. Solidariteti ishte shumë i madh nga të gjithë. Në shkollën ku mësonte vogëlushi u vendos ngrohje, ndërkohë që babait të tij iu ofrua një vend pune për të përmirësuar kushtet e familjes.

Por çfarë ka ndodhur pas një viti me vogëlushin kinez? Mediat vendase thonë se tashmë familja e tij është transferuar në një shtëpi dy katëshe e cila është vetëm disa minuta larg shkollës, duke qenë më të mbrojtur ndaj të ftohtit dhe acarit.
Ndërkohë në shkollën ku ishte realizuar fotoja është vendosur ngrohje në çdo klasë. Thënë ndryshe “fëmija akull” tashmë po bën një jetë disi më të thjeshtë, në sajë të përhapjes së fotografisë në rrjetet sociale.