Më mirë Qeveri e re, se sa kombinatorika, kërkon opozita

“Qeveria e re është më e mirë se çdo kombinim i ri jofunksional”, konsideron opozita maqedonase e prirë nga VMRO-DPMNE.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski thekson se qeveria aktuale u delegjitimua që në zgjedhjet lokale dhe se vendi duhet të ketë një qeveri të re.

“E shohim që tani qeveria është e delegjitimuar nga pikëpamja ekonomike, prandaj mendoj se një qeveri e re është më e mirë se çdo kombinim i ri jofunksional”, tha Milloshoski, përcjell INA.

Lidhur me zërat për një koalicion të gjerë të mundshëm, Milloshoski thekson se gjithnjë e më pak subjekte politike apo deputetë kanë dëshirën apo siç thotë ai “qëllimin për të hyrë apo hipur në anijen që po fundoset”. Sipas tij, kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk ka një plan serioz për krizën energjetike dhe ekonomike, e cila çdo ditë e më shumë po shkakton dëme.

Për stabilitetin e shumicës parlamentare, Milloshoski thekson se shembulli i deputetit Kastriot Rexhepi është treguesi më i mirë se në shumicën parlamentare nuk ka luftë për vlera, standarde dhe reforma evropiane, por ka luftë për ndikim më të madh në pushtet apo për pozita.

“Ky është shembulli i Kastriot Rexhepit dhe turbullirat e brendshme në BDI. Unë nuk do t’i komentoja ato dhe do t’i lija të vendosin vetë se si do të përfundojnë këto trazira të brendshme, por është e qartë se lufta për pushtet dhe pozita është më e rëndësishme sesa përpjekja që qeveria të ofrojë disa zgjidhje reale për të kapërcyer më mirë këtë krizë”, ka thënë Milloshoski.

Ai sot tha se është e kotë të kërkohet mbështetje për ligjet që nuk janë dorëzuar në Kuvend. Milloshoski, si reagim ndaj kërkesës së deputetëve të qeverisë për përkrahje të ligjeve për dalje nga kriza dhe përfundimin e bllokadës aktive, tha se është e pavlerë të mbahet një konferencë e jashtëzakonshme për media e kryeministrit Dimitar Kovaçevski më 28 shtator. dhe deri më sot ato ligje nuk janë në Kuvend.(INA)