Me ndryshimet në Dekretin e Qeverisë, KSHZ do të mund të përcaktojë hapësirë tjetër adekuate për realizimin e votimit

0

Qeveria në seancën e mbrëmshme miratoi ndryshime dhe plotësime të Dekretit me fuqi ligjore për çështjet lidhur me zgjedhjet për deputetët në Kuvend me nenin plotësues 5-a me të cilin konfirmohet se nëse nuk përmbushen kushtet e hapësirës në të cilat vendosen vendvotimet apo hapësirat ku duhet të zbatohet votimi, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) mund të përcaktojë hapësirë tjetër përkatëse që i përmbush kushtet për zbatimin e votimit.

Ekipet e KSHZ-së, të përbërë nga anëtarët dhe punonjësit e Komisionit, si dhe kryetarët e komisioneve zgjedhore komunale në të gjithë vendin, aktualisht janë duke inspektuar ambientet ku zhvillohet votim, në mënyrë që të sigurojnë masa adekuate të sigurisë dhe shëndetit për t’u mbrojtur kundër Kovid-19 gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik.

Siç sqarohet nga Qeveria, me ndryshimet në këtë Dekret rregullohen edhe rregullat e reklamimit të paguar politik për partitë politike, si dhe rregullat për detyrimin e mediave që falas t’i transmetojnë informatat dhe fushata edukative të KSHZ-së, të cilat përcaktohen në kohëzgjatje prej 30 sekonda në orë.

Ndryshimet dhe plotësimet në Dekretin me fuqi ligjore për çështjet që ndërlidhen me zgjedhjet, siç thuhet në kumtesë, përcaktojnë gjithashtu rregullat për shpërndarjen e hapësirës së reklamimit në internet portalet dhe mediat e shtypit, të destinuar për reklamim politik të paguar, si dhe mënyrën dhe rregullat e shpërndarjes të mjeteve financiare për reklamim të paguar politik të siguruar nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë të Veriut në përputhje me nenin 76-e të Kodit Zgjedhor.