Media britanike zbulon cili është fshati shqiptar i ndërtuar plotësisht nga paratë që vijnë nga Anglia

Media britanike Daily Mail i ka dedikuar një editorial ekskluziv një fshati në Shqipëri i cili sipas tyre është i ndërtuar plotësisht me paratë që vijnë nga Anglia.

‘Mirë se vini në Muzhak, ku ÇDO familje ka një të afërm që dërgon para në shtëpi për të paguar për shtëpitë e tyre komode – pasi largohen për të fituar 6-fishin e asaj që mund të marrin në shtëpi. Ky është fshati i vogël në kodrat shqiptare ku të gjitha shtëpitë komode dhe moderne janë ndërtuar me paratë e dërguara në shtëpi nga emigrantët që hyjnë ilegalisht në Britani”, kështu e hap lajmin e tij ekskluziv tabloidi britanik.

Muzhaku piktoresk ka një popullsi prej rreth 1,200 banorësh. Me paratë e fituara ilegalisht në Angli, këta banorë kanë pasur mundësinë të financojnë ndërtimin e dhjetëra shtëpive të reja – duke zëvendësuar ndërtesat njëkatëshe për shtëpi luksoze trekatëshe me ngrohje qendrore, raporton gazeta.

Në qytetin fqinj të Burrelit, kryebashkiaku Agrom Malaj tha për të përditshmen britanike se 2.000 të rinj janë larguar nga rajoni në kërkim të punës vetëm në 12 muajt e fundit, duke i lënë fshatrat atje të duken si qytete fantazmë.

“Rajoni ynë ka parë që shumica e njerëzve të largohen dhe të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar, sepse ata e shohin atë si një vend të mundësive, ata mund të fitojnë një rrogë të mirë ndërsa këtu opsionet për ta janë të kufizuara. Nuk mund të fajësojmë të rinjtë pse duan të largohen,” tha ai.

Gjithçka filloi rreth 15 vjet më parë dhe atëherë lëvizja bëhej vetëm me kamionë dhe ishte e shtrenjtë, ndoshta 20,000 £ për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, por tani bëhet me varka të vogla dhe çmimi ka rënë deri në rreth 3,000 £ kështu që është shumë më joshëse dhe e arritshme për ta.

Në mesin e atyre që janë larguar janë tre djemtë e Aliut dhe Hike Trumcit, të cilët jetojnë në shtëpinë e tyre të re të ndërtuar me pagat e tre djemve të tyre që u larguan nga Muzhaku për në Mbretërinë e Bashkuar duke hyrë ilegalisht me kamionë dhe më vonë duke kërkuar azil.

Arturi më i madh, 42 vjeç është një shofer transporti në Londër, ndërsa vëllezërit e tij më të vegjël Asimi, 36 vjeç dhe Hamiti, 29 vjeç, jetojnë në Bath (të Anglisë) ku janë shoferë taksie.

Duke qëndruar në kopshtin e shtëpisë së tij të re dykatëshe, Aliu tregoi me gisht shtëpitë në luginën piktoreske poshtë tij dhe tha: ‘Ajo është ndërtuar me para nga fëmijët në Birmingham, ajo nga Bristol, ajo ka fëmijët në Liverpool.