Medvegja duhet mbrojtur dhe jo braktisur!

0

Muharrem Salihu/

Zgjedhjet parlamentare në Serbi janë në prag dhe rezulti i tyre do të jetë i rëndësishëm për ardhmërinë e shqiptarëve në Serbi, veçanërisht për medvegjasit. Presidenti Vuçiç deri më tash e ka vizituar dy herë Medvegjën dhe 4 ministra të qeverisë serbe po ashtu, me qëllim inkurajimin e popullatës serbe që banon në Medvegjë. Ndërkohë që drejtuesit politikë nga të dy shtetet shqiptare, apo edhe përfaqësuesit e tyre legjitim në Serbi mungojnë në Medvegjë. Nga ana tjetër, liderat politikë shqiptarë në Serbi, nuk humbasin kohë dhe për zgjedhjet parlamentare po përpiqen të plotësojnë kërkesat e tyre personale, pragmatiste dhe përfituese, pa marrë në konisederatë interesat e popullatës shqiptare në Serbi.

Shteti i Serbisë po investohet fuqishëm, me një strategji të mirëorganizuar dhe me të gjitha mjetet, e ligjshme dhe të paligjshme, të dukshme dhe të padukshme, që të shkëpusin Medvegjën nga bashkësia e 3 komunave shqiptare. Serbia po lufton fort, që të mos ketë më çështje të Medvegjës; që të mos ketë më 3 komuna shqiptare; që të mos ketë më shqiptarë medvegjas që të banojnë në trojet e tyre autoktone; dhe e gjitha kjo, që Medvegja të zbrazet nga shqiptarët; që të shkëpusi komunën shqiptare nga 2 komunat e tjera shqiptare; që të zaptojë Medvegjën pas zbrazjes nga shqiptarët, në këtë mënyrë shteti i Serbisë do të jetë përfituesi i vetëm i pasurive të shumta të Medvegjës. Pra kemi një luftë “paqësore” nga Serbia për shpopullim të Medvegjës; për pushtimin pa ushtri të Medvegjës; dhe për zhvatjen e të mirave materiale të Medvegjës.

Domethënëse, por jo e pashpjegueshme është edhe heshtja 20-vjeçare e liderave politikë të Preshevës dhe Bujanocit, të cilët Medvegjën nuk e kanë pjesë të agjendës së tyre; të cilët heshtën kur më 13 shtator 2015 mijëra votues medvegjas nuk u lejuan në kufi në Motivode që të ushtronin të drejtën e tyre të votës dhe nuk i kontestuan zgjedhjet; të cilët shmangin edhe qëllimisht përfshirjen e përfaqësuesve politikë nga Medvegja në përfaqësitë e forcave politike shqiptare në ngjarje të ndryshme në Serbi, Shqipëri, Kosovë apo më gjerë; veprime të cilat përkthehen si braktisje që i bëhet Medvegjës dhe medvegjasve në ditët e tyre më të vështira.

Në këtë situtë kritike për Medvegjën, ku dhe si gjenden dy shtetet shqiptare? Pak orë më parë, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë z. Genti Cakaj dhe Ministri i Punësve të Jashtme dhe Diasporës z. Glauk Konjufca dolën në një deklaratë të përbashkët, ku mbështesin koalicionin e partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës, kualicion i cili zanafillon nga takimi që z. Cakaj ka patur javë më parë në Tiranë me disa nga drejtuesit politikë të Luginës së Preshevës. Themi disa, pasi përfaqësimi ishte selektiv dhe jo gjithëpërfshirës për shqiptarët në Serbi. Më herët, në prononcime të ndryshme në media, jemi shprehur se çdo marrëveshje që realizohet me përfaqësuesit politikë shqiptarë të Bujanocit dhe Preshevës, por pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Medvegjës është baraz me “dorëzimin të Medvegjës , të gjysmës së territorit të Luginës, duke lënë hapësirë të lirë dhe duke krijuar precedencën që të “lëshohet” edhe Bujanoci e më tej Presheva…”.

Ministrat Cakaj dhe Konjufca nuk duhet të “harrojnë” Medvegjën; nuk duhet të braktisin Medvegjën; nuk duhet të lënë Medvegjën pa parfaqësi; nuk duhet të heshtin për problemet madhore të medvegjasve, si pasivizimi i adresave apo humbja e të drejtës themelore për të votuar; nuk duhet të kufizohen vetëm te shqiptarët që jetojnë në Bujanoc e Preshevë, por duhet të mbrojnë të drejtat e të gjithë shqiptarëve në Serbi. Në fund të fundit, paguhen nga taksat e shqiptarëve për të realizuar detyrën kushtetuese të mbrojtjes së shqiptarëve kudo ku jetojnë, aq më shumë, kur ata jetojnë në tokat autoktone, të cilat duan t’ua rrëmbejnë pa zhurmë shteti i Serbisë. Çdo marrëveshje pa përfshirë Medvegjën në të, i shërben vetëm Serbisë, por kurrësesi ne shqiptarëve që jetojmë të diskriminuar në Serbi.

Ndaj në emër të medvegjasve, ju bëjmë thirrje Ministrave Cakaj dhe Konjufca të rishikojnë qëndrimet e tyre dhe “marrëveshjet” e arritura, sa janë në kohë, ndryshe, do të jetë historia që do t’i gjykojë… Medvegja nuk duhet të bëhet kurban për Bujanocin dhe Preshevën!