Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një tubim madhështor në Ferizaj tha se PDK po rikthehet si forca kryesore në vend.
Krasniqi theksoi PDK është partia e së kaluarës tonë të lavdishme, e së tashmes tonë krenare dhe e së ardhmes premtuese për një Kosovë ma të mirë.
“Dje, në hapjen zyrtare të fushatës sonë, në fillim të fjalimit tim, Kryeministrit tonë të ardhshëm, Bedri Hamzës, ia kërkova që të ndërtojë një sallë trefish ma të madhe për tubimet e PDK-së në Prishtinë, sepse nuk po na zënë sallat ekzistuese. Duke e parë masivitetin tuaj sonte këtu, të njëjtën kërkesë po ia bëjë edhe Agim Aliut: Kryetar, nise ndërtimin e një salle trefish më të madhe edhe në Ferizaj, sepse mbështetja për Partinë Demokratike të Kosovës do të vijë vetëm duke u rritur. Partia Demokratike të Kosovës e ka rikthyer pulsin. Partia Demokratike e Kosovës po rikthehet si forca kryesore politike në vend”, tha ai.
Lideri i PDK-së ftoi të gjithë të mobilizohen për fitoren e madhe me 9 shkurt.
Krasniqi tha se vota Bedri Hamzën dhe PDK-në është votë për shpresë dhe një Kosovë ma të mirë.
“Modelin e qeverisjes, të cilin Partia Demokratike e Kosovës dhe Kryetari Agim Aliu e kanë zbatuar në qytetin tuaj, bashkë me Bedri Hamzën, do ta zbatojmë edhe në mbarë Kosovën. Sepse, kjo është ajo që ndodh kur liderët i vënë qytetarët mbi politikën dhe kjo është ajo që Bedri Hamza dhe PDK do ta bëjë për Kosovën”, tha ai.