STRUGË – Entuziazëm i madh po mbretëron në Strugë, teksa vala e mërgatës shqiptare po kthehet për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të së dielës. Sipas shtabit zgjedhor të kandidatit Mendi Qyra, nga Zvicra, Gjermania, Austria, Italia e Suedia tashmë janë nisur dy aeroplanë, katër autobusë dhe mbi 100 vetura me bashkatdhetarë që synojnë ta mbështesin ndryshimin në Strugë.
Ky mobilizim i paprecedent, siç e përshkruan shtabi, është dëshmi e besimit të mërgatës se fitorja e Mendi Qyrës është e pashmangshme që në raundin e parë.
“Struga po zgjohet me energji të re, me besim dhe me shpresë. Diaspora po vjen të bëjë ndryshimin, sepse e njeh Mendi Qyrën, njeriun që e ndjen çdo rrugë, çdo fshat dhe çdo lagje të qytetit tonë,” – thuhet në reagimin e shtabit elektoral.
Zgjedhjet lokale në Strugë mbahen të dielën, më 19 tetor, dhe nga kampi i Qyrës theksojnë se që nga e hëna Struga do të ketë një kryetar të ri, të dalë nga vullneti i pastër i qytetarëve dhe mërgatës.
“Kjo është një lëvizje qytetare dhe kombëtare, që shënon fillimin e një epoke të re për Strugën. Fitorja do të vijë me unitetin e votës dhe me fuqinë e bashkimit,” – përmbyllet njoftimi i shtabit.(INA)