Mërgimit nga Kosova i eci fati në Gjermani, pas shumë peripecive

0

Djaloshi shqiptar nga Kosova, Mergim Ilazi ka pasur shumë fat. Pak para se të dëbohej nga Gjermania në Kosovë, në çastin e fundit iu paraqit mundësia që të qëndrojë në Gjermani.

I lindur në Berlin, Mergimi 19-vjeçar ishte kthyer pas luftës me familjen e vet në Kosovë në moshën vetëm njëvjeçare. „Aq sa kam pasur mundësi, në Kosovë i përcillja mediat gjermane, televizionin dhe radion që të ruaja bazat e gjuhës gjermane. Më 8 tetor të vitit 2015, Mergimi erdhi sërish në Gjermani me të vëllain i cili njëherit ishte edhe përkujdesës i tij. „Në Kosovë nuk ka perspektivë po që se nuk ke lidhje me personat që janë në pushtet, përditshmëria është e dhunshme, ndërsa ekzistenca shumë e shtrenjtë“, arsyeton 20-vjeçari ardhjen e tij në Gjermani.

Fillimisht, ai u vendosë në një qendër të përkohshme në Eisenberg e më pas në Suhl. „Qëndrimi atje nuk ka qenë shumë i lehtë, por për fat të mirë e kisha me vete vëllain tim i cili më përkrahte“, vazhdon më tej Mergimi. Problemi më i madh për te ka qenë monotonia dhe për këtë arsye, ai filloi të angazhohet si përkthyes nga gjuha shqipe, duke përkrahur stafin e vendqëndrimit. Vëllai i tij u punësua në Ilmenau, ndërsa Mergimi u vendosë në Greiz.

Këtu, ai e përfundoi shkollimin në qendrën e trajnimit profesional shtetëror, për të vazhduar edhe më tej. „Por, papritmas më vjen një mesazh se duhet të dëbohem për në Kosovë“, spjegon më tej Mergimi. Ai është dashur ta ndërprejë shkollimin dhe të kërkojë një praktikë. Në Ilmenau gjeti dy vende të lira, por zhvendosja atje iu mohua. Fati i Mergimit ka qenë integrimi i mëhershëm i tij në Greiz ku kishte luajtur futboll në ekipin e parë të vendit. „Pasi kërkoja praktikë, disa ditë nuk arrita të shkojë në ushtrimet e ekipit, prandaj Felixi, i biri i sipërmarrësit Thomas Schäfer, u interesua se ku qëndron problemi“, thotë Mergimi për „OTZ“, njofton Shtegu.com. Pas kësaj, ai e luti babain e vet për ndihmë. „E njohja Mergimin vetëm sipërfaqësisht, por e dija se është shumë mirë i integruar dhe gjuhën gjermane e fliste rrjedhshëm“, pohon Thomas Schäfer, njëherit edhe menxhues i një sipërmarrje për përpunimin e birrave. Atëbotë, ai kishte tre praktikantë të tjerë, por vendosi që edhe Mergimit t`ia japë një rast. Së bashku me tre praktikantët e tjerë, ai është duke vijuar me sukses praktikën.

Rasti i Mergimit kaloi në Komisionin për raste të rënda, tek i cili, me ndihmën e Këshillit të refugjatëve të Efurtit e parashtroi kërkesën përkatse. Aty i dërgoi të gjitha dokumentet e nevojshme dhe referencat e shumta, në mesin e të cilave edhe ajo nga ekipi 1.  FC Greiz, nga Këshilli i refugjatëve dhe qendra e trajnimit profesional Ernst Arnold, të cilët kanë dëshmuar se bëhet fjalë për një person të integruar mirë në shoqërinë gjermane.

Pas tre muajve torturë ne pritje të përgjigjes, Mergimi më në fund e pranoi vërtetimin se ai mund të qëndrojë në Gjermani për dy vite. Por, ai shpreson se lejeqëndrimi do t`i zgjatet automatikisht, pasi është duke vijuar trajnimin i cili zgjatë tre vite. Ai është i mahnitur me praktikën për këtë profesion dhe i është shumë falënderues familjes Schäfer për përkrahjen.

Në ndërkohë, pas dy vitesh trajnimi, ai ka mësuar shumë gjera për birrën: „Po të më thoshte ndokush para dy vitesh se do të bëja praktikën si prodhues i birrës dhe specialist i maltes, do të qeshja me të madhe, pasi as që e kam ëndërruar se mund të ketë një profesion të tillë.

„Jam i vetmi nga shtetet ballkanike i cili lejeqëndrimin e ka fituar në këtë mënyrë“, vazhdon Mergimi, përderisa lejeqëndrimi i tij vazhdon edhe një vit tjetër dhe ai është optimist se do t`i vazhdohet edhe më tej. Edhe përkundër faktit se paraprakisht ëndrra e tij ishte të luajë futboll, një gjë është e sigurt për te: Papunësia nuk është opsion.“Këtu kam ardhur për tu vendosur, të zhvilloj një jetë mesatare dhe jo tërë ditën të mos bëj asgjë“, përfundon Mergimi.

Edhe Thomas Schäfer është i kënaqur me trajnimin e tij, duke potencuar se këtu ndjehet shumë i lumtur. Nga ana tjetër, Mergimi nënvizon planet për ardhmërinë e tij në këtë profesion dhe për dyqind vite nuk do të mund t`ua kthente të mirat që ia kishte bërë familja Schäfer. (Shtegu.com)