Merkel deklaron se mund të tërhiqet për postin e kreut të BE-së

0

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pranoi të mërkurën se ajo mund të detyrohet të heqë dorë nga zgjedhja e saj për liderin e ardhshëm të Komisionit Europian, në kuadër të frymës së kompromisit.

Duke raportuar në Parlamentin gjerman, për përpjekjet e dështuara javën e shkuar për të zgjedhur ekipin e ri që do të reformojë bllokun në vitet e ardhshme, Merkel tha se një samiti i radhës, të dielën, mund të rezultojë sërish i pafrytshëm.

“Vetëm ata që prezantohen nga Këshilli Europian për zgjedhjen e Presidentit të Komisionit Europian, mund të hyjnë në garë dhe unë nuk vendos e vetme në këtë pikë”, është shprehur Merkel.

Merkel tha se shpresonte që procesi, sidoqoftë, do të respektonte parimin e kandidatit prioritar, sipas të cilit partia që ka marrë më shumë vota në zgjedhjet europiane, do të ketë e para fjalën për postet kryesore.

“Gjërat janë shumë të komplikuara këtë radhë, ndaj duhet të vazhdojmë të kërkojmë për një zgjidhje”, ka thënë në fjalën e saj Merkel.

Kandidati i preferuar për partitë popullore është gjermani Manfred Weber. Por, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe faktorë të tjerë në BE, thonë se ai nuk ka karizëm të mjaftueshme për këtë post.