Në Gjykatën Themelore të Strugës ka nisur procesi gjyqësor mes deputetit Bekim Qoku dhe kreu të komunës së Strugës Ramiz Merkos, pasi ky i fundit e ka paditur Qokun për shpifje.
Shkak për padinë janë deklaratat publike të Qokut, i cili e ka cilësuar Merkon si “të korruptuar”, çka, sipas padisë, ka lënduar rëndë ndjenjat e ish-kryetarit të Komunës së Strugës.
Në dokumentet gjyqësore, Merko pohon se akuzat e Qokut i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha shpirtërore dhe gjendje të rënduar psikologjike, për të cilat ka kërkuar ndihmë mjekësore, përfshirë edhe konsultime me psikiatër. Gjendja e tij, thuhet më tej, ka vazhduar për disa muaj, duke ndikuar në jetën e tij personale dhe profesionale.
E pas kësaj, në rrjetin social “Facebook”, ka reaguar Qoku duke shpërndarë fotografi nga seanca me mbi shkrim “Unë dhe korrupsioni’’.
Lidhur me këtë, Qoku tha se vetëm disa ditë pas postimit të tij në Facebook, Departamenti Amerikan i Shtetit e ka vendosur Merkon në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion dhe e ka shpallur person non grata.
“Unë i qëndroj fjalëve që shkrova atëherë në faqen time në FB dhe qëndrimet atje janë krejtësisht individuale. As atëherë dhe as tani nuk kam pasur asnjë interes tjetër, përveç interesit të qytetarëve të Strugës dhe të Maqedonisë së Veriut. Paditësi është kryetar komune i të gjithë qytetarëve të Strugës dhe i gjithë dëmi që ai ka shkaktuar, si korrupsioni, ndërhyrja në gjyqësor, ndërtimet e paligjshme, është dëm që prek të gjithë qytetarët”, u shpreh Bekim Qoku- Deputet i VLEN.
Merko kërkon që Qoku të dënohet për dëmtim të nderit dhe reputacionit dhe të paguajë gjobë prej 30,000 denarë.