Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu ka uruar sot përmes një videomesazhi të gjithë besimtarët myslimanë dhe shqiptarët kudo që ndodhen për Fitër Bajramin.
Ai shprehet se sot besimtarët myslimanë po përcjellin muajin e madhërishëm të Ramazanit dhe po i japin lamtumirën e fundit muajit të bekuar që la pas falje e mëshirë për secilin.
“Nesër është festë, është Fitër Bajrami. Hani e pini të gëzuar se këtë e keni fituar në ditët e kaluara thotë Zoti i madhërishëm.
I lutemi Zotit të madhëruar, bamirësit që Ramazani i nderuar, i cili në këtë botë është fund e krye një mirësi e madhe që në ditën e ringjalljes të ndërmjetësojë te Zoti për ne duke thënë “O Zot unë i kam penguar këta gjatë ditës, nga të ngrënët, të pirët dhe kënaqësi e tjera të ndryshme.
Pranoje ndërmjetësimin tim në favor të tyre. Të nderuar motra e vëllezër, agjërimi ishte një shkollë një mujore për secilin prej nesh.
Gjatë këtij muaji njeriu mëson se modestia dhe jo mendjemadhësia është virtyt, mëson se falja është më me vlerë se falja është më me vlerë se hakmarrja, përkujdesi ndaj të varfërve dhe të pamundurve është cilësi më e lartë se indiferentizmi, mëson vetëdisiplinimin, kontrollin dhe vetëedukimin”, tha Spahiu.
“Sot nuk mund t’i përmend të gjitha ato të mira që i mësuam nga muaji Ramazanit, por një çështje me rëndësi që duhet të përqëndrohemi.
Drejtimin që e morëm në Ramazan, suksesin e sjelljeve dhe jetën e përparuar fetare që e arritëm duhet t’i vazhdojmë më tej.
Ruajeni atë që e fituat në Ramazan. Nesër ne festojmë me familjet, të afërmit dhe miqtë tanë, por nuk harrojmë të bëjmë pjesë të gëzimit të varfërit, të sëmurët, të moshuarit të cilët përveç lutjeve drejtuar Zotit japin edhe mbështetjen tonë direkte sipas mundësisë”, vijoi ai.
Tërnava: Festë e bekuar që përçon mesazhe për paqen
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Festën e Fitër Bajramit.
Tërnava ka deklaruar se tani është momenti kyç për të kërkuar paqe dhe lumturi për vete.
“Vetëm edhe pak orë na ndajnë nga festimi i Fitër Bajramit, andaj kam kënaqësinë që sot, në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet dhe urimet më të mira, me bindje dhe shpresë që Bajramin ta ndiejmë, ta presim e ta përjetojmë shpirtërisht me gëzime e përkushtim në ambientet tona të ngrohta familjare dhe shoqërore. Që sonte kur kemi natën e Bajramit, besimtarët myslimanë hyjnë në atmosferën e festës së Fitër Bajramit, të gëzuar me plotë të drejtë se kanë kryer një ndër urdhrat e Zotit të Madhëruar, agjërimin e muajit Ramazan, ibadet ky që bëhet vetëm për Zotin e Gjithësisë”, deklaroi Tërnava.
Tutje, Tërnava tha se “Kjo festë e bekuar, e cila në formën më të mirë përçon porosi dhe mesazhe për paqen, harmoninë, dashurinë, mirësinë dhe gëzimin për besimtarët, është një dhuratë prej Zotit për përkushtimin, devotshmërinë dhe adhurimin e shtuar gjatë muajit të bekuar Ramazan”.
Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Manifestimi fillon në ora 05:41, me faljen e namazit të sabahut të cilit do t’i prij, Hetem ef. Sopjani , pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga Agim ef. Hyseni -anëtar i Kryesisë së BI të Kosovës .
Namazi i Fitër – Bajramit falet në ora 06:59 minuta të cilit do t’i prijë, Vedat ef. Sahiti -kryeimami i BIK-ut.