BDI dhe kreu i saj sot kanë zhvilluar një takim me qytetarët dhe simpatizantët në Haraçinë.
“Qytetarët e Haraçinës ngritën një sërë shqetësimesh, veçanërisht lidhur me mosfunksionimin e duhur të institucioneve dhe mosrespektimin e gjuhës shqipe, e cila ende anashkalohet në shumë segmente të administratës shtetërore dhe publike.
Një ndër çështjet më të theksuara gjatë takimit ishte edhe diskriminimi në punësimet e fundit në institucionet shtetërore, ku qytetarët shprehën indinjatën për mungesën e përfaqësimit të drejtë dhe barazisë në shpalljet publike, duke theksuar se shqiptarët po përballen me një trajtim të padrejtë dhe të papranueshëm”, thuhet në njoftimin e BDI.
Më tej thuhet se kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti, në adresimin e tij para të pranishmëve, theksoi se partia e tyre është e vendosur të përdorë çdo mekanizëm demokratik për të ndalur këtë prapakthim institucional që po dëmton drejtpërdrejt shqiptarët dhe po cenon karakterin multietnik të shtetit.
“BDI riafirmon përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si gurthemel i barazisë, drejtësisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend”, theksohet në njoftimin e kësaj partie.(INA)