Mesiç: Kosova e Serbia do ta kuptojnë shpejt penalizmin që sjell mungesa e bashkëpunimit

Mëngjesin e sotëm ka qenë prezent në prefekturën e qarkut të Vlorës delegacioni kroat i Prefekturës së Medimurjes, së bashku me ish-presidentin kroat dhe të ish-Jugosllavisë Stjepan Mesiç. Delegacioni kroat është pritur nga prefekti i qarkut Flamur Mamaj. Pas përfundimit të takimit Mesiç i është përgjigjur interesit të gazetarëve fillimisht për Open Balkan.

Ky i fundit e ka përshëndetur nismën dhe ka theksuar se ai është një luftëtar i madh për bashkimin dhe se vetëm Europa e bashkuar mund të konkurrojë kënddrejtë SHBA dhe Kinës dhe Rusisë. “Nëse vendet hapin kufijtë e tyre atëherë do të thotë që qytetarët mund të udhëtojnë lirshëm dhe kështu rritet më tepër bashkëpunimi duke bërë që të kemi paqe në Rajon”, është shprehur Mesiç.

I pyetur për vendimin e Kosovës për të qëndruar jashtë Ballkanit të Hapur, Mesiç tha: “Tashmë Kosova është një fakt që Serbia nuk mund ta kundërshtojë. Shumë shpejt, Serbia dhe Kosova do të kuptojnë rëndësinë dhe penalizimet e mosbashkëpunimit”.

I pyetur në lidhje me integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor në BE Mesiç shprehet se vendet që janë anëtarësuar në BE deri më tani janë të lodhura nga Bashkimi Europian ndërsa ato të cilat presin anëtarësimin janë të lodhur nga pritja. Sipas tij zgjidhja është nëse vendet që nuk janë anëtarësuar të përshpejtohen procedurat që të jenë edhe këto të fundit pjesë e BE-së.