Mësimi nis më 1 tetor, por 40 mijë nxënës nuk kanë pajisje për mësim online

0

Plani i Qeverisë është që viti shkollor të fillojë më 1 tetor, por se si do të nisë, gjithçka varet nga gjendja epidemiologjike pohon ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska.

“Nëse karikojmë dhe themi se më datë 25 kemi numër të madh të të infektuarve atëherë, po, mësimi do të fillojë online, e për prani fizike me shumë gjasa do ta ri mendojmë nga klasa e parë deri në të tretën. Ndoshta do të kemi gjendje epidemiologjike stabile, e kështu shkojmë me planin që është përgatitur, atë që ka miratuar Qeveria, nga 1 tetori, nga klasa e parë deri në të tretën me prani fizike, të tjerët online, përveç atyre që do t’u lejohet për shkak të kushteve”, u shpreh Carovska.

Mbi 40 mijë fëmijë në gjithë Maqedoninë kanë nevojë për pajisje teknologjie për të ndjekur mësimin online. Kjo tregon se ka nevojë për investim, tha Carovska, por duke shtuar se këtë furnizim nuk mund ta bëjnë për 30 ditë. Në këtë rast, Qeveria ka këtë opsion si zgjidhje:

“E para është që në Televizionin Nacional do të jepen 15 minuta mësim për çdo lëndë sipas orarit për të gjitha klasat. Duke e ditur se pjesa më e madhe e fëmijëve kanë televizorë dhe mund ta ndjekin kanalin Nacional. E nëse as kjo nuk është e mundur atëherë fëmijët do të marrin materiale nga shkolla që të munden në nivel javor të bëjnë detyra, pra të mësojnë, dhe ato t’i kthejnë prapa”, përfundoi ministrja e Arsimit.

Këto Carovska i tha sot kur Kuvendi miratoi nevojën për sjelljen e ndryshimeve dhe plotësimeve të ligjeve për arsimin fillor dhe të mesëm, me procedurë të shkurtuar.

Nisma mori mbështetje edhe të VMRO-DPMNE-së, megjithatë deputetja opozitare Bllagica Llasovska, tha se shumë çështje serioze mbeten të hapura, e për të njëjtat qeveria nuk jep përgjigje. Paralajmëroi amendamente!

“Në lidhje me pajisjet elektronike që Qeveria i planifikon që çdo fëmijë, pra çdo prind, duhet t’ia sigurojë nxënësit, ne planifikojmë të sjellim amendament sepse shkollimi fillor dhe ai i mesëm janë të detyrueshëm dhe është obligim i qeverisë, respektivisht shkollave, që të sigurojnë kompjuter për çdo fëmijë, veçanërisht për ata fëmijë që janë kategori sociale, pra fëmijë në rrezik social”, paralajmëroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Bllagica Llasovska.

Që në mars për shkak të pandemisë me virusin korona, të gjitha institucionet arsimore në vend u mbyllën, për të vazhduar më pas vetëm online, por nga shumë njohës të fushës ky lloj mësimi në distancë nuk ishte efikas.

Viti shkollor në vend zakonisht ka nisur më 1 shtator, por kësaj here do të nisë me një muaj vonesë, e kjo për shkak se Qeveria nuk arriti në kohë të bëj plan për procesin arsimor në kohë pandemie./TV21