Messi paralajmëron pensionimin nga Argjentina

Lionel Messi duket se është duke e luajtur vitin e fundit te Kombëtarja e Argjentinës.

Në orët e para të së shtunës, Argjentina u takua me Venezuelën në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katar 2022”.

Argjentina që ka siguruar pjesëmarrjen më herët në Botëror, e fitoi këtë ndeshje me rezultatin 3:0.

Lionel Messi shënoi golin e tretë për argjentinasit, teksa në deklaratën pas ndeshjes la të nënkuptohet se po mendon pensionimin nga kombëtarja.

“Unë mendoj për atë që po vjen tani, Ekuadorin. Pas Kupës së Botës do të më duhet të rimendoj shumë gjëra”, tha 34-vjeçari.

Kur u pyet nëse do të vazhdojë të luaj, sulmuesi i PSG-së tha: “Nuk e di e vërteta është që nuk e di. Le të shpresojmë që këto të shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Por, me siguri pas Kupës së Botës shumë gjëra do të ndryshojnë”.

Sipas të gjitha gjasave, Botërori i këtij viti do të jetë turneu i fundit në të cilin Messi do të paraqitet me Argjentinën.