Mësuesi Malë dhe beteja e tij për arsimin shqip në Kumanovë

0

Muhamer Pajaziti
Jetojmë në një kohë të keqe ku nuk përmenden dhe nuk përkujtohen personalitetet më të shquara të kombit tonë. Shumë mësues dhe arsimtarë, të cilët nuk lanë gurë pa lëvizur për avansimin e arsimit shqip dhe kulturës shqiptare sot pothujse janë harruar. I tillë ishte edhe Ismail Osmani nga Kumanova, të cilën ne e thërrisnim mësuesi Malë. Një njeri që gjaku i vlonte gjithmon dhe nuk e duronte aspak regjimin e kaluar komunistë, padrejtësitë dhe torturat që bënte ky sistem ndaj çdo gjëje shqiptare. I motivuar nga rilindasit tanë, të cilët shpeshherë si fëmijë e rastisnim ti lexonte fshehtas në shtëpi , ai na motivonte të shkollohemi e të luftojmë sa më shumë për dije dhe kultivim të vlerave, historisë e kulturës shqiptare. Ai kishte filluar të punonte si mësues që në moshën 18 vjecare dhe prej asaj dite ai kurr nuk ka rreshtur me punën e tij për edukimin e brezave të rinjë. Por, nuk ishte vetëm shkolla aktiviteti i tij i vetëm, ai gjithandej ku mblidheshin shqiptarët e kuvendonin mbante fjalime të elaboruara fuqishëm për të drejtat personale, politiko-civile e ekonomike të shqiptarëve. Ishte një orator i fuqishëm dhe mjaftë guximtarë për atë kohë, që askush nuk guxonte të shprehej lirshëm se çka mendonte në të vërtetë. Në vitin 1988, pushteti i atëhershëm komunistë mori vendim ti mbyllte shkollat shqipe në Kumanovë. Mësuesi Malë së bashku me djalin e tij nuk pajtoheshin me këto padrejtësi dhe politika raciste. Ata të dy ishin pjesë e demonstratave në shenjë revolte për mbylljen e paraleleve në gjuhën shqipe. Djali i tij, Bardhyl Osmani, i rritur një vatër të atdhedashurisë ishte në ballë të protestave dhe mbahet mend për sulmin e tij për ta shpërthyer kordonin e policisë, i cili synonte ta ndalonte demonstratën në mbrojtje të arsimit shqip. Për aktivitetin e tyre në këto protesta, babë e bir burgosen dhe maltretohen mizorishtë nga shteti policor i asaj kohe. Bardhyli me shumë shokë për një javë të tërë pa ndalur janë rrahur mizorishtë nga policia sllavo-maqedonase. Në këto protesta janë dënuar mbi 5000 mijë kumanovarë, madje edhe deri në 15 vjet heqje lirie, vetëm se kërkonin arsimim në gjuhën shqipe. Mësuesi Malë, e përjetoi rëndë këtë periudhë sepse regjimi mori vendim që ta largoj nga puna, por më shumë e kishte përjetuar rëndë arrestimin dhe burgosjen e djalit të vetëm Bardhylit. Edhe pas kësaj periudhe të rëndë edhe pse i larguar nga puna ai nuk ndalej në misionin e tij, që sa më shumë shqiptarë të shkolloheshin. Vraponte, nuk linte derë pa trokitur për tiu mundësuar bursa të rinjve shqiptarë dhe regjistrimin e tyre në Universitetin e Tiranës. “Populli shqiptarë gjithnjë ka qenë i robëruar dhe i shkelur nga të huajtë. Kultura shqiptare mësohet në të gjitha universitetet botërore. Gjuha shqipe do të jetoj për derisa të jetoj edhe një shqiptarë në këtë rajon . Ne shqiptarët nuk jemi grup etnik as kombësi, por komb i cili jeton në katër njësi federale (i referohet sistemin të atëhershëm në Jugosllavi). Duhet ta keni parasysh se sa shqiptarë jetojnë në botë dhe si trajtohen ata”- ky ishte reagimi i mësuesit Malë ndaj protagonistëve shqiptarë të asaj kohe, të cilit ishin lojal ndaj sistemit që shtypte shqiptarët, e që ndryshe njiheshin si shqiptarë të “ndershëm”. Për rrethanat ishte reagim i guximshëm që buron nga një personalitet dhe familje patriotike. Të tillë patriotë ka shumë në qytetin e Kumanovës dhe më gjerë, por që sot janë harruar nga pazarxhinjtë e politikës. Është koha që të kujtojmë dhe të jemi mirënjohës ndaj gjithë atyre që kanë dhënë kontributin për avansimin e çështjes shqiptare në Maqedoni dhe më gjerë.(INA)