Meta bën shqiponjën dhe thërret për referendum: Të mbrojmë Republikën

0

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në konferencën e jashtëzakonshme përsëriti qëndrimin e tij për referendum. Ai tha se do të kërkojë mbështetjen e popullit shqiptar që përmes referendumit të mbrojë Republikën. “Detyra ime tha kreu i shtetit është të mbroj vendin dhe kushtetutën. Le të jetë populli shqiptar dhe vetëm ai, që do të vendosë nëse pranon të rikthehet në Diktaturë apo do të mbrojë Demokracinë që është fituar me shumë trimëri, vuajtje dhe sakrifica njerëzore.Vendimi i drejtpërdrejtë i popullit dhe i sovranit të përgjithshëm, është mbi të gjithë. Referendumi është demokracia direkte dhe në veprim! Të mbrojmë sot Kushtetutën dhe përmes saj të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë! Shqipëria e Para!”-theksoi mes tjerash Meta. Në 21-vjetorin e Kushtetutës së Shqipërisë, Meta e konsideron Kushtetutën e miratuar në vitin 1998 si Kushtetuta më demokratike që ka parë Shqipëria.

“Kushtetuta mbetet e para dhe e fundit vijë e kuqe, e pakalueshme, për sa kohë fuqia e saj buron prej popullit. 22 nëntori i vitit 1998, është një datë historike për të gjithë shqiptarët. Për herë të parë populli shqiptar në mënyrë të drejtpërdrejt miratoi përmes referendumit Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë post-komuniste. Falë urtësisë politike dhe një procesi gjithëpërfshirës të udhëhequr nga i ndjeri Sabri Godo dhe zoti Arben Imami, si dhe në bashkëpunim të shkëlqyer me Komisionin e Venecias, u zhvillua një debat dinjitoz kushtetues dhe një referendum shembullor, duke na dhuruar Kushtetutën më demokratike që ka patur Shqipëria deri më sot”, tha ai. Në vijim Meta tha se kushtetuta shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllimin e vetëm të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e kryeministrit aktual. “Në fakt, Komisioni i Venecias i ka thënë të gjitha, për ata që kanë veshë për ta dëgjuar dhe vullnet për ta zbatuar! Dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto, tashmë jemi përpara një situate edhe më dramatike, ku Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ajo që na rekomandoi Komisioni i Venecias, po shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllimin e vetëm të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e Kryeministrit aktual. Jemi në kushtet ku qeveria nuk është llogaridhënëse ndaj askujt në Republikën e Shqipërisë, Ku pushteti ekzekutiv është unifikuar me pushtetin legjislativ; Ku nga Kuvendi i Shqipërisë janë dorëhequr 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës; Ku numrin kushtetues të përcaktuar qartë prej 140 deputetësh të Kuvendit ai nuk e plotëson dot më prej gati 10 muajsh; Ku janë kapur të gjitha bashkitë e vendit, në një proces antiligjor me votime një-partiake, duke dhunuar edhe parimin kushtetu es të autonomisë vendore”, tha ai. Meta tha se zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm dhe jo trasparent. “Qëllimi i reformës nuk ishte falimentimi i sistemit gjyqësor, por reformimi i thellë i tij dhe rritja e besueshmërisë së qytetarëve te drejtësia shqiptare. Organet e reja të gjyqësorit do të duhet të kenë në radhët e tyre një trupë profesionistësh me integritet dhe jo thjesht disa emra që duhet të mbushin vakancat që po kolapsojnë të gjithë sistemin e drejtësisë. Së treti, përsëri paralajmëruar nga Komisioni i Venecias, zbatimi i ndryshimeve kaq të thella kushtetuese do të duhej të zbatohej duke ruajtur frymën e bashkëpunimit, për të siguruar që institucionet e reja të drejtësisë të mos kapeshin nga forca politike në pushtet. Ndryshe nga çfarë këshilloi Komisioni i Venecias, zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm dhe larg transparencës”, tha Meta.