Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar Talat Xhaferin për zgjedhjen e tij si kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Përmes një postimi në Facebook, Basha thekson se Maqedonia e Veriut dëshmoi sot një standard shembullor për bashkëjetesën ndëretnike dhe rolin e shqiptarëve si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
“Urime të përzemërta Talat Xhaferi, Kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Pa vizionin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Ali Ahmeti, kjo do të ishte e pamundur. Roli konstruktiv dhe përkushtimi ndaj vlerave euroatlantike i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka qenë përcaktues për anëtarësimin në NATO dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Maqedonia e Veriut dëshmoi sot një standard shembullor për bashkëjetesën ndëretnike dhe rolin e shqiptarëve si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Duke i uruar suksese kryeministrit Talat Xhaferi, shpreh shpresën dhe besimin që rruga europiane e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë pa u ndalur”, shprehet Basha.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar Talat Xhaferin, i cili nga sot do të jetë kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.
Me anë të një postimi në Facebook, Meta shprehet besimplotë se me lidershipin e tij qeveria e re do të hedhë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
“Urimet më të përzemërta dhe shumë suksese Qeverisë së re teknike të Maqedonisë së Veriut dhe Kryeministrit të saj, Talat Xhaferi! Besimplotë se me lidershipin e tij dhe angazhimin e dëshmuar gjithpërfshirës dhe bashkëpunues, pa dallim etnik dhe politik, Qeveria e re do të hedhë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në funksion të perspektivës së integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Shqiptarët, si faktor shtetformues, të orientuar qartë nga BE dhe NATO, kanë një rol kyç për harmoninë ndëretnike, stabilitetin dhe ardhmërinë europiane të Maqedonisë së Veriut.