Meta: Izraeli duhet të njohë sa më parë Shtetin e Kosovës

0

Presidenti Ilir Meta deklaron se Izraeli duhet ta njohë sa më parë shtetin e pavarur të Kosovës.

Por derisa njohja e pavarësisë nga Izraeli të bëhet fakt, Kreu i Shtetit shqiptar në një intervistë për gazetën më të madhe izraelite “The Times of Israel”, tha se të dy vendet duhet të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për bashkëpunim dhe zhvillim dypalësh.

“Kosova dhe Izraeli kanë një miqësi të madhe. Ne dëshirojmë dhe shpresojmë që Izraeli ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur. Unë nuk mund të flas në emër të secilit vend, por ka simpati të madhe midis kosovarëve për hebrenjtë, dhe anasjelltas. Shpresoj se do të vijë koha. Deri atëherë, të gjitha mundësitë për bashkëpunim dhe zhvillim dypalësh duhet të shfrytëzohen”, – tha Presidenti Meta.

Një nga qëllimet e gjata të Shqipërisë është të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Por kjo ëndërr ende nuk është realizuar.

Rruga për në Bruksel ka qenë e mbushur me pengesa, dhe e fundit erdhi në mes të tetorit 2019 kur Macron bllokoi në mënyrë të efektshme të Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga fillimi i bisedimeve të anëtarësimit me arsyetimin se nuk kishin bërë sa duhet në lidhje me politikat ekonomike, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit.

“Ne jemi shumë të vendosur për t’u anëtarësuar në BE”, deklaroi Meta. “Është e vërtetë që Presidenti Macron ka kërkuar të rishikojë metodologjinë e zgjerimit të BE-së, dhe shpresojmë që kjo metodologji të rishqyrtohet shumë shpejt. Unë fola me të nëntorin e kaluar kur isha në Paris. Ne jemi në kontakt me BE-në dhe shpresojmë që së shpejti do t’i hapë rrugë vendimeve pozitive për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut” u shpreh Meta.

Përpjekjet për rikuperimin e tërmetit vazhdojnë

Meta tha se miqësia e Izraelit me Shqipërinë u shfaq më 26 nëntor 2019, kur republika Ballkanike u godit nga një tërmet 6.4 ballë që vrau 51 njerëz. IDF (ushtria izraelite) menjëherë dërgoi një ekip të specializuar për të nxjerrë të mbijetuarit dhe për të përcaktuar nëse banesat dhe ndërtesat nga ana strukturore ishin të sigurta pas tërmetit.

“Ka pasur dëme të mëdha, dhe për fat të keq patëm 51 jetë të humbura gjatë kësaj tragjedie,” tha Meta. “Por ne jemi të vendosur për t’u përballur me këtë krizë humanitare dhe kemi dhënë ndihmë për të gjithë njerëzit që vuajtën gjatë këtij tërmeti.”

Më 17 shkurt, donatorët ndërkombëtarë do të takohen në Bruksel, për të diskutuar një paketë ndihme masive për Shqipërinë, e cila pësoi një humbje ekonomike të vlerësuar prej 1 miliard eurosh. Presidenti tha “ne do të rregullojmë buxhetin tonë në përputhje me rrethanat”.

I pyetur se çfarë i bëri përshtypje më shumë për dy ditët e tij në Izrael, Meta u përgjigj shpejt: Shkolla “Lauder” e Qeverisë, Diplomacisë dhe Strategjisë – një departament i IDC Herzliya.

“Më thanë që disa dekada më parë, shkolla përbëhej nga vetëm disa ambiente të vjetra. Por falë vizionit të Izraelit për të promovuar arsimimin e standardeve më të larta, ai u shndërrua në një institucion udhëheqës – jo vetëm në Izrael, por ndërkombëtarisht,” tha ai. “Kjo është fuqia e transformimit që ka populli izraelit, dhe kjo është diçka që duhet të mësojmë si shqiptarë, si ta transformojmë vendin tonë në të ardhmen.”

Kjo ishte vizita e dytë e Presidentit Meta në Izrael; e para e tij ishte si Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, në vitin 2014.

Këtë herë, ai jo vetëm që u takua me homologun e tij, Reuven Rivlin, por e ftoi në Shqipëri.