Meta me thirrjen e radhës: Të tejkalohet kriza, zgjedhjet më 13 tetor

0

Presidenti shqiptar Ilir Meta sot përmes një postimi në facebook ka bërë thirrje që të tejkalohet kriza politike dhe zgjedhjet të mbahen më 13 tetor.

Qëndrimi i plotë:

Të dashur miq! Po ju rikujtoj qëndrimin tim publik në 27 qershor 2018, një ditë pasi ishin bërë të njohura konkluzionet e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian!

Jo vetëm që u shpërdorua një vit pa bashkëpunim, përqëndrim e përgjegjësi, por gjithçka u përkeqësua vetëm në interes të luftës për pushtet. Ndërkohë kanë kaluar më shumë se dy muaj nga dita kur u dhashë mundësi të dy palëve për të realizuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse. Ende kemi mundësi t’i shfrytëzojmë këto ditë, për të realizuar zgjedhje në 13 tetor 2019, si një detyrim, jo vetëm ligjor, por edhe si domosdoshmëri për të mos i mbajtur zero shanset që Shqipëria t’i çelë negociatat për anëtarësim me BE në 18 tetor 2019.

Askush të mos lodhet të gjejë justifikime dhe alibi nëse nuk reflekton. Çdo gjë mund të lobohet në BE, por jo injorimi i kritereve të Kopenhagenit. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë pjesë e tyre dhe të paevitueshme.

Ndaj duhet shfrytëzuar urgjent gatishmëria e drejtuesve të OSBE-së për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj krize duke e pranuar këtë gatishmëri tani, me qëllim që jo vetëm të realizohen zgjedhjet vendore në 13 tetor 2019, por edhe të arrihet marrëveshja për refomën zgjedhore sa më parë, në mënyrë që vendi ynë të ketë mundësi të çelë negociatat në 18 tetor 2019.