Meta nga Dibra: Ky shpopullim është i dhimbshëm

0

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka vizituar Dibrën ku ka zhvilluar takim me qytetarë të këtyre zonave.

Në një reagim në Facebook, Kreu i Shtetit thotë se shpopullimi i Dibrës është i dhembshëm, pasi sipas tij braktisja e këtyre krahinave tradicionale që kanë qenë burim i identitetit tonë kombëtar e kulturor, mund të jetë fatal për të gjithë kombin.

Reagimi i Presidentit Ilir Meta

Vizita në Dibër dhe takimi me dibranët është përherë një kënaqësi e veçantë për mua! Për më tepër kur kjo vizitë lidhet me vlerësimin e figurave të shquara dibrane të atdhedashurisë, këngës, artit, kulturës, folklorit dhe muzikës.

Gjithë kombi përulet me nderim e mirënjohje ndaj kontributit të dibranëve për Lirinë dhe Pavarësinë e Atdheut, por edhe për ndikimin e madh që kanë pasur në botën dhe kulturën shqiptare.

Për shqiptarët Dibra është shumë e shtrenjtë, siç është edhe Atdheu për dibranët.

Kjo trevë, me nëntë malet e saj të lartë ka qenë në shekuj kështjella natyrale e lirisë së shqiptarëve, një nga epiqendrat më të spikatura dhe më të flakta të shqiptarizmit dhe betejave për liri!

Dibra me këtë histori dinjitoze e panoramë mahnitëse dhe me këtë popull kaq vital e me virtyte nuk duhet të braktiset më!

Ky shpopullim është i dhembshëm, pasi braktisja e këtyre krahinave tradicionale që kanë qenë burim i identitetit tonë kombëtar e kulturor, mund të jetë fatal për të gjithë kombin.

Është momenti që të gjithë të kthejmë më shumë vëmendjen ndaj ruajtjes, jo vetëm të vlerave më të mira të kulturës dhe identitetit tonë kombëtar, por mbi të gjitha për të rikthyer njerëzit dhe rininë në këto troje, që meritojnë të gjallërohen sërish.

KOHA ËSHTË TANI!

Faleminderit nga zemra banorëve të mrekullueshëm të Dibrës për pritjen e ngrohtë dhe bujare!