Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka deklaruar se Bashkimi Demokratik për Integrim është në rënie dhe po ndjek të njëjtën rrugë si ish-subjektet politike shqiptare, si PPD dhe PDSH, të cilat përfunduan në shuarje.
“BDI është nisur rrugës së PPD-së dhe PDSH-së dhe subjekteve tjera shqiptare. Prej një lëvizjeje të madhe politike, në përfundim në asgjë, që për shqiptarët nuk është mirë, sepse ne vazhdimisht ballafaqohemi me fillimin nga themeli, asnjëherë me ngritje apo kulm, por vazhdimisht nga themeli. Kjo nuk është rasti te pala maqedonase me VMRO-në dhe LSDM-në, të cilat kanë një kontinuitet të politikave dhe programeve”, deklaroi Mexhiti në podkastin “Dialog” në Lajm TV.
Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti, ka akuzuar ashpër BDI-në duke thënë se kjo parti ka devijuar plotësisht nga parimet e saj fillestare dhe ka përfunduar në aferat e korrupsionit, duke përfituar për interesa personale. “Pjesa më e lavdishme historike e shqiptarëve në Maqedoni është UÇK-ja dhe lufta e vitit 2001. Ajo solli ndryshime të mëdha, jo barazi të plotë, por një avancim të dukshëm të shqiptarëve në Maqedoni.
“Megjithatë, me kalimin e kohës, politikat e BDI-së kanë ndryshuar rrënjësisht. Të fillosh si përfaqësues i UÇK-së dhe të përfundosh në listën e zezë amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në gjyqësor për Mijallkovin, tregon qartë se si kjo parti ka lëvizur nga një ekstrem në tjetrin,” deklaroi Mexhiti në podkastin “Dialog”.
Ai e akuzoi BDI-në se në vend që të përdorte pushtetin për të çuar përpara interesat e shqiptarëve, e ka shpërdoruar atë për mbrojtjen e figurave të korruptuara dhe për bizneset e saj të dyshimta. “Ajo që është më e dhimbshme është se numrat në qeveri nuk kanë qenë kurrë më të favorshëm për shqiptarët. Nga vitet ‘90 deri në vitin 2020, shqiptarët nuk kanë pasur ndonjëherë pozicion ku qeveria varej prej tyre. Dhe çfarë bëri BDI-ja? E shfrytëzoi këtë pushtet për të shpëtuar Mijallkovin, për të ndihmuar arratisjen e Gruevskit, për të zhvilluar bizneset e kazinove dhe kredive të shpejta. Kjo është më se tragjike,” theksoi ai.
Mexhiti argumentoi se BDI-ja nuk përfaqëson më idealet për të cilat u themelua dhe se tashmë është e izoluar politikisht. Sipas tij, shqiptarët duhet ta vulosin ndryshimin përfundimtar në zgjedhjet e ardhshme lokale.