Ju konfirmoj se derisa jam ministër, prej tani e më tej, nuk do të ndodh të vonohet tenderimi ose prokurimet publike për ilaçe, përveç në rast se nuk ka ndonjë komponentë ose materie, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, lidhur me furnizimin e glukometrave dhe shiritave për diabetikë.
Ai ka shprehur keqardhje për vonesën e tenderit dhe potencoi se, së bashku me Shoqatën e diabetikëve e kanë bërë të pamundurën këto disa muaj që të mund ai tender sa më shpejtë të shpallet.
“Por, e dini, nga momenti kur shpallet tenderi, kompania që i bart glukometrat dhe shiritat ka afat prej tre deri gjashtë muaj, që në këtë rast nuk ishte praktikë. I kemi lutur përfaqësuesit e kompanisë, ishin dy herë tek unë që të mund sa më shpejtë t’i furnizojmë këto glukometra dhe shiritat që të mund diabetikët normalisht ta marrin atë që e kanë të drejtë të shejtë, që u garantohet edhe me ligj”, tha ministri.
Në pyetjen e gazetarëve se ka ankesa për glukometrat e marra, se kanë ardhur në paketime joadekuate dhe pa udhëzime për përdorim, ministri tha se e kanë lutur kompaninë që në të ardhmen kjo të mos ndodh.
“Ne kemi bërë përpjekje dhe e kemi lutur kompaninë që ato të vendosen në kuti dhe të kenë udhëzime, në të ardhmen të mos dërgohen ashtu. Normalisht se diabetikët në këtë rast kanë të drejtë, por ligjet janë ato në shtet për prokurime publike dhe ne duhet t’i respektojmë. Unë si ministër dhe Ministria e Shëndetësisë ju garantojmë se janë cilësore, efektive dhe të mira”, tha ministri.
Mexhiti i përgënjeshtroi spekulimet se glukometrat kanë qenë në ndonjë depo.
“Kjo nuk është e vërtetë, mund ta kontrollini në Doganë. Prej 14 shtatorit të vitit 2023 ato kanë kaluar, janë doganuar, standardizuar me të gjitha protokollet, me të gjitha dokumentet”, tha ministri.
Lidhur me pyetjen kur më në fund do të vendoset rendi me diabetikët, ministri deklaroi se nuk mund gjatë natës t’i ndryshojnë punët.
“Nëse diabetikët kanë gjashtë muaj probleme, për çka unë me të vërtet ndjej keqardhje, ka 15 vite probleme me azhurnimin e listës pozitive. Gjatë natës nuk mund t’i ndryshojmë punët”, tha ministri Mexhiti.
Sipas tij, për këtë nevojitet zgjidhje sistematike.
Zgjidhja më e mirë e mundur është të jetë me çmime referente. Kjo nënkupton se do të shkoni në barnatore dhe do të keni një kuotë, shuma të caktuara të mjeteve financiare që do t’i mbulojë Fondi për sigurim shëndetësor, e ajo është se kush çfare brendi don, të tillë do të merr”, tha ai.
Ministri tha se këtë javë kanë arritur pesë mijë glukometra, ndërsa pritet që muajin e ardhshëm të arrijnë edhe 17 mijë.