Në një deklaratë për media, nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti ka theksuar se grupi i tyre i njohur si “Grupi zjarrit” është kundër hyrjes së Aleancës për Shqiptarët në Qeveri.
Sipas tij, kjo është vetëm për të shpëtuar Artan Grubin nga përgjegjësitë dhe dështimet.
“Disa lëvizje që po ndodhin këto ditë janë të panevojshme sepse ka një shumicë të qëndrueshme dhe gjithçka tjetër është për të shpëtuar Artan Grubin. Nuk ka asgjë të përbashkët me interesat e qytetarëve, me procesin integrues, me ndryshimet kushtetuese, por e gjithë kjo është një akrobaci për ta shpëtuar këtë, e kam fjalën për pjesën e BDI-së që është jolegjitime në popull”. ka thënë Mexhiti.
Sipas tij, është i paqartë vendimi i ASH-së për të hyrë në Qeveri.
“Nuk shoh asnjë arsye, kur ka mbetur vetëm një buxhet për të zbatuar, një vit para zgjedhjeve, që një parti opozitare të hyjë në qeveri. Por është vendimi i tyre dhe nëse vendosin kështu, do të jenë paterica e Artan Grubit”, shtoi Mexhiti.
Ai ka bërë të ditur se do të vazhdojnë të takohen me strukturat e partisë dhe qytetarët edhe pse Ali Ahmeti është në krah të Grubit dhe nuk ka ndërmend ta ndryshojë atë.(INA)