Dy krerët e partive të VLEN, kryetari i LD-së, Izet Mexhiti dhe kryetari i ASH-së, Arben Taravari kanë ndjekur bashkë edicionin e 11 të festivalit “Ktu fest” në Strugë.
“Kultura është shpërfaqje e shpirtit të kombit. Pra është një pasqyrë që reflekton botëkuptimet e thellësinë e kombit. Arti është ura që përbashkon popujt, ndërsa teatri është skena më madhështore ku pikëtakohet shpirti dhe urtësia. Pjesëmarrja e mbrëmshme në edicionin e 11-të të festivalit “K’tu Fest”, bashkë me ministrin Arben Taravarin, ishte një nder i jashtëzakonshëm. Në teatrin Poshka të Strugës, secili çast ishte i veçantë, një valë emocionesh që rrëfen e rikujton fuqinë e artit. E mbrëmshmja shfaqje ishte përkujtim për një të kaluar të vështirë të popullit tonë, që asnjëherë nuk duhet harruar.
Arti është zemra e një kombi dhe skena është vendi ku ajo rreh më fuqishëm. Kombi ynë është i gjallë, sepse arti, teatri, skena, festivali i saj është një truall gjallues dhe frymëzues. Çdo ditë, sot, nesër e përgjithmonë, në çfarëdo funksioni që do të jem, do të kujdesëm që kjo zemër frymëzuese të mos ndalojë kurrë”, ka shkruar Mexhiti. (INA)