Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti deklaroi se koalicioni VLEN ende nuk ka përcaktuar kandidaturat për zgjedhjet lokale që po afrohen, pasi është në zhvillim procesi i matjes së opinionit publik.
“Aktualisht nuk kemi emra të caktuar, sepse nga ana e VLEN-it janë angazhuar agjenci serioze për matjen e opinionit publik, të cilat po analizojnë temat, programet, por edhe kandidatët e mundshëm të VLEN-it për zgjedhjet lokale të ardhshme. Anketat do të jenë një nga faktorët kyç për orientim rreth kandidaturave,” tha Mexhiti pas hapjes së Forumit Energjetik Maqedonas – MEF25 sot në Shkup.
Ai shtoi se “kampi shqiptar” në zgjedhjet lokale do të garojë si dy opsione politike.
“Tashmë është kristalizuar situata – në kampin shqiptar ka dy blloqe: VLEN dhe BDI, kështu që në zgjedhjet lokale do të garojmë si dy opsione politike,” theksoi ai.
Ndërkohë, Mexhiti sqaroi se Arben Taravari tashmë është pjesë e BDI-së dhe pozicionimi i tij politik është i qartë.
“Sa i përket Taravarit, ai tashmë është pjesë e BDI-së, pjesë e atij blloku, dhe mund ta shihni se nëse më parë kishte lista të veçanta për këshilltarë për të dalë nga VLEN, tani i ka harruar ato lista dhe bashkëpunon çdo ditë me BDI-në dhe po përgatiten së bashku për të dalë në zgjedhje,” tha Mexhiti.
Sipas tij, kjo ndarje në dy opsione politike brenda kampit shqiptar është e shëndetshme për një shoqëri demokratike.
“Si të jetë, shqiptarët në Maqedoni kanë dy opsione – konkurrencë platformash dhe programesh – dhe kjo mendoj se është e shëndetshme për një shoqëri demokratike,” përfundoi ai.