Zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti ka shprehur përjetimin e tij në prag të Muajit të shenjtë të Ramazanit nga qyteti i bukur i Stambollit.
“Mbrëmja zbriti ngadalë mbi Stamboll, qytetin mijëra vjeçar. Qielli u përflak me nuanca të arta, ndërsa dritat e qytetit u ndizen një nga një, si yje që zbresin mbi tokë për të dëshmuar ardhjen e një muaji të shenjtë. Qëndroj para Xhamisë “Sulltan Ahmet”, madhështore dhe hijerëndë, e mbështjellë me krenari, e cila sonte duket sikur ka marrë një nur tjetër, një dritë më të butë, më të ngrohtë.
Ajri mban freskinë e Bosforit, ndërsa tingujt e ezanit përhapen nëpër rrugicat e gurta të Stambollit, duke heshtur çdo zhurmë të botës. Zemra rreh ndryshe sonte. Është një rrahje që përzien mallin me paqen, kujtimin me përjetimin.
Teksa qëndroj në zemër të Stambollit, ndjej diçka të njohur, diçka që më merr për dore dhe më kthen pas në kohë. Hapat mbi kalldrëmin e vjetër më kujtojnë rrugët e Çarshisë së Shkupit, ato rrugica ku kam rendur dikur si i ri, i paduruar për të arritur në shtëpi e për të parë nënën duke pjekur byrekun e iftarit. Aroma e tij shpërndahej në çdo skutë të shtëpisë, përzihej me ndjesinë e agjërimit, me emocionin e asaj pritjeje të veçantë. Ishte aroma e Ramazanit, aroma e përkatësisë, aroma e asaj ndjesie të pashpjegueshme që vetëm ky muaj di ta sjellë. Edhe sot është njësoj. Mezi pres ta mbyll ditën, dhe të ulem në sofrën e iftarit bashkë me nënen e babën. Veçse tash në iftaret tona të bukura, janë edhe fëmijet e zonja ime. Sofër e zemra plot!
Dhe sot, midis minareve që prekin qiellin dhe dritave që ndizen me bekim, e ndjej edhe me fort madhështinë e Ramazanit. E ndjej bekimin e Zotit për çdo të mire që kemi! E teksa vështroj njerëzit që mbushin rrugët e Stambollit me fytyra të qeshura e zemra të lehtësuara nga pesha e ditës, kuptoj se Ramazani është më shumë se një muaj, është një ndjenjë. Është ndjenja e kthimit në veten, në rrënjët, në shtëpinë e shpirtit.
Ramazan, mirë se na erdhe!”, ka shkruar Mexhiti. (INA)