Lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, pas takimit të djeshëm me Eskobarin, theksoi se VMRO-DPMNE-ja më shumë se kushdo është e shqetësuar për gjendjen në të cilën ndodhet shteti.
“Vlerësoj që tani qëndrimet e VMRO-DPMNE-së i janë sqaruar personalisht zotit Escobar. Ne jemi po aq të shqetësuar sa edhe ata për gjendjen aktuale në Maqedoni, por shqetësimi ynë, do t’ia lejoj vetes të them, është shumë më i madh, sepse ne jetojmë në këtë vend. Ne ndajmë jetën e përditshme, luftojmë për ta ndryshuar atë përditshmëri dhe bashkëpunimi me të gjithë partnerët tanë strategjikë dhe bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtar është i rëndësishëm për ne. Por prioriteti më i lartë është cilësia e bashkëqytetarëve tanë dhe gjendja në të cilën jetojnë bashkëqytetarët tanë në Maqedoni. Për ta ndryshuar këtë duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse kjo qeveri sigurisht që ka zero kredibilitet dhe e vetmja platformë dhe politikë që kishte ishte pranimi i një diktati bullgar dhe goditja në mur, e shihni se nuk kanë 2/3, nuk kanë. Nuk kanë 80 deputetë dhe nuk ka asnjë pikë tjetër të ndërlidhur që do t’i lejonte të qëndronin edhe një ditë atje ku janë”, tha Mickoski.
Ai përsëri theksoi se duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse “Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së është një qeveri pa legjitimitet popullor dhe kredibilitet politik të barabartë me zero”.(INA)