Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka përjashtuar mundësinë e realizimit të kërkesës për kryeministrin shqiptar, nëse pranohet kërkesa e tij për Qeveri gjithëpërfshirëse, pa BDI-në, e cila do të votonte ndryshimet kushtetuese.
Mickoski tha se marrëveshja mes BDI-së dhe LSDM-së në këtë rast nuk do të vlejë.
“Kryeministri i ardhshëm nuk do të jetë për shkak të marrëveshjes që e kanë bërë LSDM dhe BDI, ose kushtimisht thënë, etnikisht shqiptar, por do të jetë kryeministër që e kanë zgjedhur shumica e deputetëve në korniza të Kuvendit”, theksoi Mickoski.
Mickoski, ka përsëritur sot nga Koçani se kushti i tyre për të votuar për amendamentet kushtetuese do të ishte një qeveri pa BDI-në deri në zgjedhjet dhe amendamentet kushtetuese të hyjnë në fuqi kur vendi të bëhet anëtar i BE-së.
Ai përsëriti se VMRO-DPMNE nuk do të pranojë ndryshimin e Kushtetutës nën diktatin bullgar.
“Si parti politike e përgjegjshme dhe si politikanë të përgjegjshëm jemi gjithmonë të gatshëm të diskutojmë kur bëhet fjalë për të ardhmen e atdheut tonë. Kështu ka qenë biseda në takimin e lidershipit me Kovaçevskin. Nga ana e tij është bërë oferta që t’i lëshohen pesë ministri që aktualisht menaxhohen nga qeveria e LSDM-së dhe t’i ofrohen VMRO-DPMNE-së, dhe në këmbim VMRO-DPMNE të mbështesë ndryshimet kushtetuese, të përfundojnë ato ndryshime, të fillojnë negociatat dhe pastaj të shkojmë në zgjedhje”, tha Mickoski.
Ai ka përsëritur ofertën e VMRO-DPMNE-së për të marrë pjesë në qeverinë e ardhshme deri në zgjedhje, por me kushte të caktuara.
“Kushti i parë është që përfundimisht të çlirohet Maqedonia nga BDI. Ajo nuk ka nevojë të jetë në atë qeveri kalimtare, e thënë paraprakisht. E mirëpres lëvizjen e Bujar Osmanit për ta pranuar këtë në emër të BDI-së. Kur bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese, le të themi se ne e pranojmë votimin e tyre, por që efekti të jetë i vonuar, pra me një efekt të vonuar. Praktikisht nuk do të ndryshojnë rrethanat, nuk do të kemi ndryshim të Kushtetutës, ato amendamente nuk do të jenë pjesë e asaj kushtetute deri në momentin kur Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së”, tha Mickoski.
Në këtë mënyrë, sipas tij, mbrohet identiteti dhe në këtë mënyrë sipas tij, nuk ka lëshime që mund të dëmtojnë identitetin maqedonas.(INA)