“Ballkani i Hapur” si iniciativë rajonale krijon mundësi që lidhin rajonin tonë me botën dhe kjo platformë është shembull se si tradita dhe inovacioni mund të shkojnë paralelisht”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski nga Beogradi në hapjen e panairit të verërave si pjesë e kësaj nisme.
Duke e cilësuar këtë ngjarje si zhvillim të rëndësishëm, Mickoski tha se është dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit, vizionit dhe përkushtimit që kanë vendet e rajonit në avancimin e lidhjeve ekonomike, shkëmbimeve kulturore dhe promovimit të turizmit.
Nga panairi i verës në Beograd, kryeministri vlerësoi se vera si trashëgimi kulturore e kësaj pjese të Evropës është shumë më tepër se produkt, por edhe simbol i historisë, vendit dhe punës, si dhe një urë lidhëse mes njerëzve.
“Jam krenar që sot mund të prezantojmë të arriturat e industrisë së verës maqedonase, e cila padyshim është një nga më të zhvilluarat në rajon. Maqedonia ka më shumë se 28.000 hektarë vreshta dhe çdo vit prodhojmë rreth 100 milionë litra verë, gati 70 për qind e të cilave eksportohen në mbi 40 vende të botës. Jemi veçanërisht krenarë për varietetet tona autoktone, si Vranec dhe Stanushina, të cilat po bëhen marka të njohura në skenën ndërkombëtare. Krahasuar me vendet fqinje, Maqedonia shquhet për balancën mes sasisë dhe cilësisë së verës së prodhuar. 50 për qind e verës së prodhuar maqedonase ka një emërtim me origjinë gjeografike, gjë që nxjerr në pah përkushtimin tonë për cilësi të lartë”, deklaroi Mickoski.
Përveç kryeministrit, në delegacionin maqedonas në panair janë edhe zëvendëskryeministri për sistemin politik Ljupço Dimovski, zëvendëskryeministri dhe ministri i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve Ivan Stoilkoviq, ministri i kulturës dhe turizmit Zoran Ljutkov, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave Cvetan Tripunovski, ministrit të Administratës Publike Goran Minçev, kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, Ivan Janushev.(INA)