Mickoski: Një mijë zgjidhje për Maqedoninë, VMRO-DPMNE e mbyll fushatën tradicionalisht nga Shtipi

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në ditën e fundit të fushatës është në Shtip ku kjo parti në mënyrë tradicionale i përfundon fushatat zgjedhore. Ai theksoi se në programin e tyre “Rilindje” kanë një mijë zgjidhje, duke shtuar se si fitues më 15 korrik dëshirojnë në të ardhmen të realizojnë edhe aq.

“Unë do të doja edhe një mijë zgjidhje shtesë të problemeve brenda këtij mandati 4 vjeçar. Por së pari do të duhet të fillojmë, të shohim se çka do të gjejmë. Informacionet tregojnë se situata është shumë e keqe”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Vllado Misajllovski, nënkryetar i partisë dhe bartës i listës në NJZ2, nga Kumanova me premtim se do ta sjellë ligjin për prejardhjen e pronës së politikanëve.

“Unë vetëm mund të supozoj se çfarë kanë bërë ose çfarë është ajo që e fshehin. Andaj është i mirë ligji që e propozon VMRO-DPMNE-ja për prejardhjen e pronës që të shihni se çfarë politikanë keni këtu në Kumanovë dhe çfarë po fshehin ata në lidhje me bizneset e tyre që ata i quajnë biznese miqësore”, tha Vllado Misajllovski, bartës në NJZ2.

VMRO-DPMNE në këto zgjedhje del me programin Rilindje, ndërsa bartës të listave janë Gordana Siljanovska Davkova në NJZ1, Vllado Misajllovski në NJZ2, Igor Janushev në NJZ3, Aleksandar Nikollovski në NJZ4 dhe Dafina Stojanovska në NJZ6.