Mickoski: Po zbehet retorika e BDI-së për kryeministër shqiptar, por nuk e mbështes idenë për koalicion

0

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski nuk mbështet  koalicion të zgjeruar me LSDM-në por vetëm një Qeveri që do të organizonte zgjedhje të reja parlamentare. Ky është qëndrimi i Mickoskit si kundërpërgjigje ndaj idesë së BDI-së për kryeministër shqiptar, përcjell INA.

Qeveria e zgjeruar asnjëherë në të kaluarën nuk ka sjell të mira për qytetarët, por në të kundërtën ka qenë Qeveri e cila ka sjell dëm. Qëllimi im është të ecim para. Nuk më habit fakti nëse gjatë negociatave retorika e BDI-së zbehet apo zhduket -deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski ka shtuar se nuk pret unifikimin e bllokut politik shqiptar për pozitën e kryeministrit dhe se nuk do të formonte shumicë e cila do të ishte në kundërshtim me parimet e subjektit që drejton.

Nuk pres unifikim politik sepse do të ishte e pa logjikshme që pas zgjedhjeve dy koncepte të ndryshme politike të bashkohen sepse gjatë gjithë kohës kanë akuzuar njëra-tjetrën. Nuk shoh arsye pse do të bashkoheshin dhe të kishin një këndvështrim të përbashkët, përkundrazi kanë dallime të mëdha. Thënë shkurt nuk pres të bashkohen -u shpreh Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Duke folur për negociatat, Mickoski ka deklaruar se bisedimet përmbajtjesore akoma nuk kanë filluar, ndërsa ka pranuar se mes liderëve ka komunikime të zakonshme. Ai pret që pas konstituimit të Kuvendit, negociatat për shumicë të re të nisin në nivel liderësh, por edhe mes grupeve negociuse. Liderët shqiptar, nuk kishin koment për qëndrimet e Mickoskit.