Mickoski refuzon Zaevin për Qeveri të përbashkët

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski nga Klinika Infektive ka reaguar në lidhje me propozimin e kryeministri Zoran Zaev për përfshirje të opozitës në Qeveri, e që sipas këtij të fundit nuk realizohet për shkak të politikave të Mickosvskit.

“Po e shkruaj këtë nga dhoma në klinikën e sëmundjeve infektive me gjithë revoltën që e keni bërë në Maqedoni. Ekziston një mënyrë për të shpëtuar nga unë, e ajo është që unë të mos zgjohem nesër ose pasnesër dhe ndoshta pastaj mund të jetë më e lehtë për ju të që të gjeni një bashkëbisedues të përshtatshëm. Por ju nuk do ta shihni këtë film, ju premtoj se do ta luftoj sëmundjen, do të dal nga Infektiva dhe më pas na pret shumë punë. Dhe këta nga pushteti nëse mendojnë se ka mundësi për pakt me krimin dhe kriminelët, kjo nuk do të ndodhë. Do të mundeni, ju premtoj”, ka shkruar mes tjerash Mickoski.

Zaev për “Slloboden Peçat” deklaroi se e kishte lutur kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski për të formuar Qeveri të përbashkët por se me të nuk mund të merret vesh. “Hajt të hyjmë të gjithë, e hap për herë të parë këtë mundësi. U përpoqa në çdo mënyrë, thashë se me Gruevskin mundesha të gjej zgjidhje, por me Mickovskin nuk mundem. Nuk di çka të bëj tjetër! Ja tani e hap edhe këtë mundësi, edhe pse kam mandat deri më 2024-ën edhe tre vite e gjysmë, kam fituar në zgjedhje pas ndryshimeve kushtetuese, pas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, marrëveshjes me Bullgarinë, reformat që i bëmë dhe fitova, dhe edhe në rrethana të këtilla hap mundësi të debatojmë. Kur të dëshirojnë atëherë, prej nesër, pas zgjedhjeve lokale, kur të jenë të gatshëm të gjithë, atëherë”, ka theksuar Zaev. Kundër kësaj ideje janë shprehur nga BDI, ndërsa për një qeveri gjithëpërfshirëse, opozita shqiptare ka numëruar kushtet e saj.