“Përpara meje në mbledhjen e Partive Popullore Evropiane, Hristijan Mickoski ka përdorur emrin e parashikuar nga Marrëveshja e Prespës, pra Maqedonia e Veriut, e cila ka detyrimin të përdorë erga omnes. Zbatimi besnik i marrëveshjes është e vetmja rrugë për t’i hapur rrugën evropiane vendit fqinj”, theksoi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në deklaratat që bëri pas punimeve të Samitit të PPE në Bruksel.
Reagimi i Micotakis vjen pasi që mediat greke raportuan dhe komentuan deklaratën sfiduese dhe provokuese që kryeministrit Mickoski bëri të mërkurën para fillimit të Samitit BE-Ballkan në Bruksel, ku ai në një paraqitje kishte përdorur emrin Maqedoni pa të Veriut.
“Sot jemi në Bruksel për të dërguar mesazhin se qytetarët e Maqedonisë dhe Maqedonia si shtet e merituan vendin e tyre me 27 vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian dhe se vendi ynë është pikërisht këtu në të njëjtën tryezë së bashku me ta…”, kishte theksuar Mickoski në një paraqitje të tij në rrjetet sociale. Kjo deklaratë ka nxitur reagime të ashpra në qarqet politike dhe mediat greke. (INA)