Mijalkov u bë banor i Ohrit, dënimin me burg do ta vuajë në Strugë

Ish-shefi i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, ka ndërruar adresën e banimit. Tanimë ka adresën e re në Ohër dhe jo në Shkup. Këtë e ka bërë vetëm e vetëm për të qenë në periferi dhe për të vuajtur dënimin tre vjeçar për rastin “Perandoria” në burgun e Strugës.

“Pas njoftimit të marrë nga MPB me datën 19.07.2022, lënda me të gjitha shkresat do të kalojë në kompetencë të Gjykatës Themelore Ohër, si gjykatë kompetente vendore për trajtimin e rastit konkret”, theksuan nga Gjykata penale në Shkup, përcjell INA

Përveç dënimit me burg, Mijallkov ka pranuar edhe një konfiskim prej gati 36 milionë eurosh.

Më herët, më 1 korrik, biznesmeni i dënuar Orce Kamçev ka hyrë në burgun e Strugës, ku është dorëzuar për të vuajtur dënimin prej një viti burg, pasi ka arritur marrëveshje me Prokurorinë. Ai ka paguar edhe rreth 5 milionë euro evazion fiskal. Mijallkov dhe Kamçev konsiderohen si miq të afërt. Burgu i Strugës është një destinacion i preferuar edhe për shumë të tjerë të dënuar. (INA)