Milan fitore dramatike në përballjen me Lazion

Milan ka marrë një fitore dramatike nga udhëtimi në Romë, kundër Lazios.

Skuadra e Stefano Pioli ka siguruar tri pikë nga udhëtimi në Romë, me një gol të shënuar në frymën e fundit, për rezultatin 1:2, shkruan lajmi.net.

‘Rossoneri’ vështirësuan punët e tyre kur pranuan gol qysh në minutën e 4’ të ndeshjes. Ciro Immobile zhbllokoi gjithçka, për epërsinë e Lazio.

Pas pësimit të golit, Milan kishte kontrollin e ndeshjes. Golin e barazimit e gjetën në pjesën e dytë.

Ishte minuta e 50’ kur pas një depërtimi të Rafael Leao, Olivier Giroud u gjet mirë në zonë dhe dërgoi topin në rrjetë për 1:1.

‘Rossoneri’ provuan deri në fund për golin e fitores, dhe ky gol vonoi shumë.

Sandro Tonali bëri heroin e mbrëmjes, kur në minutën e 90+2′ shënoi gol, pas një topi të zbritur nga Ibrahimovic.

Milan tashmë numëron 74 pikë në pozitën e parë, dy më shumë sesa Inter, por këta të fundit kanë një ndeshje në dispozicion për ta luajtur.

Lazio mbetet në 56 pikë dhe vazhdon shpresën për zonën Euro. /Lajmi.net/