Minishengeni Ballkanik dhe kurthi i Vuçiçit ndaj Edi Ramës

0

Një minishengen apo Beneluks Ballkanik do të ishte lehtë i realizueshëm për shqiptarët, gjegjësisht Shqipërinë dhe Kosovën, shtete të cilat i përkasin një kombi dhe nuk paragjykojnë njëri tjetrin…

Muhamer Pajaziti
Dyfytyrësia politike apo e kuteve të dyfishta po mbetet një vazhdimësi e konsumuar nga politikat serbe, që tradicionalisht po ecën mbi bazën e manipulimit, falsifikimit dhe djallëzimit.
Standardet e dyfishta të ndjekura me skenarë diplomatike dhe në terren, janë pjesë e politikës aktuale në Beograd. Kjo politikë e ndërthurur mirë, e vendos Serbinë në rolin e dyfishtë të “engjëllit dhe të djallit”.
Beogradi para tetë vieve nisi me promovimin e idesë së mini-shengenit në rajonin e Ballkanit, përmes ministrit të brendshëm dhe ish-pasardhësit të Millosheviçit, Ivica Daçiç.
Ideja duket e kopjuar apo e përvetësuar nga një nismë e zbehur, e nxitur vite më parë në Prevallë nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu, i cili këtë plan i’a shpalosi homologëve të tij nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria.
Por, si duket me rënien e Sejdiut, edhe ideja u zhduk dhe nuk u shtrua asnjëherë si nismë, që sot ndoshta po shfrytëzohet nga Beogradi dhe presidenti Aleksandar Vucic si paravan dhe bagazh diplomatik me moton e integrimit.
Por, ç`po ndodhë në anën tjetër, ku del në pah ajo Serbia e vjetër. Synimet e saj integruese po shfaqen në një fotografi tjetër të dhunës, ekspansionizmit dhe djallëzimit në veriun e Kosovës. Dirigjimi dhe presioni i Vucic ndaj serbëve të Kosovës, kjo u pa edhe në zgjedhjet e fundit në Evropë shihen si dezintegrim dhe BE tashmë është shfaqur e qartë se qasja ndryshe ndaj Kosovës është pikë kyçe që zhbllokon rrugëtimin serb drejt Brukselit. Gjithashtu tendecat serbe për ta bllokuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare e tregojnë fytyrën e saj të vërtetë se sa është në gjendje të punoj për integrimin dhe të mirën e rajonit.
Por, Serbia vazhdon fushatën diplomatike dhe duhet të ketë një dozë vrojtimi më të theksuar për të dekoduar çdo hap të ndërmarrë në relacionet me BE-në.
Dezintegrimi i shfaqur rajonal serb është pjesë e një lojaliteti dhe partneriteti të pjesshëm të saj me vendet e rajonit, ku gati se me gjitha shtetet janë kontestet e hapura.
Në këtë drejtim Maqedonia duket si aleatja e vjetër që i shërben gjithmonë djallëzimit politik dhe ekspansionit serb. Aleancat midis këtyre dy vendeve janë syzgjuar, edhe pse pati një inat nga Beogradi për shkak të njohjes së Kosovës.
Mini-shengeni serbo-maqedonas është një model i mëvetësishëm dhe që aspak nuk nënkupton integrim euroatlantik. Por ç’ju desh Edi Ramës të përzihet në një çorbë bajate, duke e ditur se Serbia është ajo që po e pengon shtetin e Kosovës dhe po shton përpjekjet me ndihmën e Rusisë për ta destabilizuar rajonin.
Kush e shtyri Rama që të bëhet pjesë e kësaj “lëvizjë të lirë” “alla sllave” apo të stilit jugosllav, kjo mbetet të shihet.
Në këtë vorbull të këtij integrimi me shumë pikëpyetje dhe prapavija të theksuara politike, Shqipëria duhej të merrte rolin e saj nismëtar duke lobuar për një integrim apo lëvizje të lirë me shtetet e rajonit, dhe jo Serbia. Pjesë e kësaj nisme duhet të ishte edhe Kosova dhe Mali i Zi, si dy shtete të pavarura.
Unë gjithmon janë shprehur për një bashkim doganor, tregtar dhe në fusha tjera në mes të shteteve të rajonit, por në rrethanat kur Serbia do të vetdijësohet dhe të pranonte krimet që ka bërë në Kosovë dhe vende tjera të rajonit. Gjithashtu edhe Maqedonia kur të ishte e gatshme ti largonte fillimisht barrierat gjuhësore, etnike e kulturore si dhe paragjykimet ndaj shqiptarëve etnik. Pra ky takimi humoristik i Ramës, Zaevi dhe Vucicit është një vardisje ndaj BE-së për tu integruar më shpejtë, por kjo nuk do të dhezë. Aktualisht, Një minishengen apo Beneluks do të ishte lehtë i realizueshëm për shqiptarët, gjegjësisht Shqipërinë dhe Kosovën, shtete të cilat i përkasin një kombi dhe nuk paragjykojnë njëri tjetrin.
Një traktat ndërqeveritar i modeleve të Bashkimit Evropian do të përshpejtonte anëtarësimin e të dy vendeve në strukturat euro-altantike si dhe do ti ndihmonte, sidomos Kosovës për tu futur më lehtë në tregjet rajonale dhe evropiane.
Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në dimensionin ekonomik do të rriste peshën e shqiptarëve në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare dhe ndër-fqinjësore. Ndërsa, përskaj kësaj do të përfitonin bizneset por edhe qytetarët. Me këtë do të rriten edhe investimet e huaja për faktin se investitorët kërkojnë tregje më të mëdha për të investuar kapitalin e tyre. Krijimi i një hapësire të përbashkët ekonomike, apo i një tregu të përbashkët me heqjen e të gjitha barrierave fizike, teknike dhe fiskale do të mundësonte që mallrat, shërbimet, kapitali si dhe personat të mund të lëvizin lirishtë sikur brenda një shteti të vetëm.
Pra heqja e barrierave do të zgjeronte mundësitë, eksperiencat dhe horizontet e njerëzve, ndërsa gjithashtu do të mundësonte që të mos bllokohen më mallrat për shkak të rregullave dokumentacioneve dhe procedurave të panevojshme dhe nga tatimet për mallrat e importuara.
Tregu i përbashkët do të ishte një mundësi e mirë për konsumatorin shqiptar në të dyja anët e kufirit, për të zgjedhur mallra me kualitet më të lart në një treg më të madh prej 6 apo 7 milionë banorëve, ndërsa kompanitë që do të plasonin mallin e tyre në të dy shtetet, duke rritur kështu veprimtarinë, numrin e të punësuarve si dhe të ardhurat. Pastaj, bashkëpunimi ekonomik vetvetiu me kalimin e kohës do të nxiste edhe bashkëpunimin politik në formën e një konfederate apo federate me qëllimin final anëtarësimin në BE, NATO (Kosova) dhe organizata tjera ndërkombëtare.
Nga ana tjetër me përafrimin e legjislacioneve, gjithnjë duke respektuar standardet e Bashkimit Evropian, një numër i madh i mjekëve, juristëve, ekonomistëve, etj, do të mund të ushtronin profesionet e tyre në cilin do qytet të Shqipërisë apo Kosovës. Gjithashtu edhe studentet do të mund të lëviznin më lirë për të studiuar, atje ku mendojnë se është më mirë, pasi që do të zgjerohej horizonti i tregut të punës dhe konkurrenca. Ky bashkëpunim do të zgjerohej edhe në shumë sfera tjera, duke pasur si synim mediat, që tashmë po lëvizin në këtë drejtim, sidomos ato nga Tirana.
Dhe krejt kjo mund të realizohet pa asnjë një pengesë, për faktin se qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë i përkasin një kombi dhe një historie të dhimbshme, duke ndarë fatin e njëri tjetrit në një luftë mbijetese kombëtare, nën sulmet e fqinjëve dhe qarqeve ekspansioniste dhe gjenocidale.
Modeli Beneluksit pse të mos jetë si model që duhet të merret parasysh në modelin e tregut ndërshqiptar, për një bashkim ekonomik dhe politik.