Ministri Hoxha: Sivjet presim 260,000 ton grurë

Ministri i bujqësisë, Arjanit Hoxha ka marr pjesë në fillimin e korrjeve të grurit në zonën e Pellagonisë. Këtë e ka bërë të ditur ministri Hoxha përmes një postimi në facebook:

Qoftë kjo korrje me bereqet në të gjitha fushat me drithë tek ne dhe në gjithë botën!

Sot pata kënaqësinë të jem pjesë e ngjarjes solemne të fillimit të korrjes në fushat me grurë të ZK Pelagonisë.

Nuk ka gëzim më të madh për fermerin sesa kur arrin të korr frytet e punës së tij. Gëzim edhe më i madh është atëherë kur viti është i frytshëm dhe korrja është e pasur, ky është shpërblimi më i mirë për mundin e dhënë. E gjithë puna e tyre, e gjithë koha e përkushtuar dhe e gjithë dashuria që fermerët japin në fushat e tyre me grurë, le t‘u kthehet atyre si bekim përmes korrjes së begatë.

Në kushtet klimatike që kemi në vendin tonë, kultivimi i kulturave të drithërave është me të vërtetë i shkëlqyer, kjo vlen posaçërisht për rajonin e Pellagonisë, hambarin tonë më të madh të drithit. E gjitha kjo dëshmohet nga të dhënat e njësive rajonale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, sipas të cilave sipërfaqja e punueshme me grurë në vitin 2021 është rreth 79,000 hektarë, që paraqet një rritje prej rreth 7% në krahasim me vitin 2020. Këtë vit, ne presim rendiment mesatar prej rreth 3,200 deri në 3,500 kg / ha ose në total prej rreth 260,000 ton grurë.