Ministri Hoxha takim me blegtorët e Pollogut, subvencionet do t’u paguhen së shpejti

Ministri i bujqësisë, Arjanit Hoxha zhvilloi takim me blegtorët e rajonit të Pollogut, duke i siguruar që subvencionet do tu paguhen sa më shpejt.

“Në ambientet e MBPEU, sot realizova një takim me blegtorët e pakënaqur nga rajoni i Pollogut. Në takim, blegtorët shprehën pakënaqësinë e tyre lidhur me vonesën e lëshimit të mjeteve për subvencionet e këtij viti. Ata i njoftova se gjatë gjithë periudhës, që nga fillimi i pandemisë e deri më sot, me gjithë vështirësitë e paraqitura, subvencionet e vitit të kaluar janë paguar. E njëjta gjë do të realizohet edhe këtë vit. Subvencionet do të jenë në llogari të të gjithë aplikantëve nga të gjitha degët bujqësore që plotësojnë kushtet.

Atyre u kërkova mirëkuptim dhe durim sepse vala e tretë e krizës së koronavirusit na ka detyruar që të punojmë me numër të reduktuar të punonjësve të cilët duhet të përpunojnë të dhënat me prani fizike. Sidoqoftë, të gjithë jemi duke punuar së bashku dhe subvencionet do të paguhen së shpejti.”, ka nënvizuar ministri Arjanit Hoxha. (INA)