Ministri i shëndetësisë, Filipçe: Piku i pandemisë së virusit në vend, pas 2-3 javësh

0

Maqedonia e Veriut ka hyrë në fazën e dytë të pandemisë. Kjo është nënvizuar nga ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, duke shtuar se vijon periudha e rrezikut nga përhapja më e shtuar e koronavirusit, përcjell INA.

Ministri Filipçe informoi se nesër Qeveria mund të propozojë masa më rigoroze për parandalimin e virusit korona, pa zbardhur se çfarë konkretisht.

“Numri i të prekurve gjatë ditëve dhe javë të ardhshme do të rritet më shumë. Ende mbetet parashikimi që kulmi i sëmundjes të jetë kah fund i muajit prill, dhe presim diku rreth 2,000 pacientë, megjithëse shumë faktorë kanë ndikuar në këto parashikime. U bëj thirrje qytetarëve që të respektojnë në maksimum masat. Të minimizohen kontaktet fizike dhe qytetarët të mbrohen nga çdo komunikim apo lëvizje e rrezikshme”, theksoi ministri i shëndetësisë. Sipas tij, një nga problemet kryesore është se ekzistojnë bartës asimptomatikë të virusit, dhe përhapja e këtyre bartësve mund të parandalohet vetëm duke qëndruar në shtëpi, respektivisht në izolim.

Në 24 orët e fundit, në vend janë regjistruar dy të vdekur dhe 72 raste të reja me virusin korona, duke e çuar numrin e pacientëve në total 555, prej të cilëve 18 kanë vdekur, ndërsa 23 janë shëruar.(INA)