Ministri Mehaj takohet me Zëvendësndihmës sekretarin amerikan Gabriel Escobar

Armend Mehaj

Në Departamentin e Shtetit, në atmosferë të shkëlqyeshme, sot u takova me Zëvendësndihmës sekretarin amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit të dërguarin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar.

Pasi e njoftova me vizionin dhe qëllimet e mia strategjike, si dhe prioritetet e qeverisë sonë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, z. Escobar, shprehu mbështetjen e plotë në realizimin e tyre, nga autoriteti i tij zyrtar.

Të dy u pajtuam, se të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së si dhe vizioni ynë për të ardhmen janë në funksion të plotë të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit rajonal dhe më gjerë.

Gjithashtu me z. Escobar diskutuam edhe sfidat aktuale dhe ato të ardhshme potenciale të mjedisit të sigurisë, si dhe format më efektive të menaxhimit të tyre me konstatimin e përbashkët- sigurinë bashkëpunuese nga të gjithë.