Nëse nisemi nga këndvështrimi i përgjithshëm se infrastruktura kritike nënkupton gjithçka që është jetike për funksionimin dhe mbijetesën e një komuniteti apo shoqërie, konkluzioni është i pashmangshëm se ajo është një segment thelbësor i sigurisë kombëtare dhe mbrojtja e saj është një nga prioritetet e çdo vendi. Për të mbrojtur institucionet, por edhe jetën dhe pronën e qytetarëve tanë, shëndetin, sigurinë, ekonominë dhe mirëqenien e njerëzve, përgjigja jonë duhet të jetë e shpejtë, e koordinuar dhe efikase.
Këtë e theksoi në fjalën hyrëse ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski në seancën e dhjetë të grupit punues 4 – Drejtësi, liri dhe siguri, në suaza të Konventës nacionale për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut që u mbajt sot, kushtuar tematikisht “Parandalimi dhe lufta kundër terrorizmit: Perspektiva nacionale dhe evropiane në identifikimin dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Në seancën e bashkëkryesuar nga sekretarja shtetërore në MPB Magdalena Nestorovska, ministri Spasovski foli për nevojën e zgjidhjes gjithëpërfshirëse konceptuale për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, duke theksuar nevojën për një qasje të integruar, gjegjësisht ndërtimin e një sistemi sistematik dhe të plotë koncepti i mbrojtjes së infrastrukturës kritike duke identifikuar të gjitha kapacitetet relevante në sektorin publik dhe privat.
“Duke marrë për bazë Direktivën e Bashkimit Evropian të vitit 2008 në konceptimin e zgjidhjes së ardhshme, duke ndjekur parimet bazë të Konceptit Evropian për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, mbrojtja efektive imponon nevojën për komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm të të gjitha subjekteve përkatëse. Kjo nënkupton shkëmbim në kohë dhe të vazhdueshëm të të dhënave për rreziqet, kërcënimet dhe dobësitë e infrastrukturës kritike, duke krijuar një mjedis besimi dhe mbrojtje të siguruar të të dhënave të përbashkëta”, tha Spasovski, citohet në komunikatën e MPB-së.
Sipas ministrit Spasovski, mbrojtja e infrastrukturës kritike është para së gjithash përgjegjësi kombëtare, e konkretizuar përmes parimit të subsidiaritetit mbi të cilin bazohet Programi Evropian për mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Megjithatë, theksoi ai, nuk duhet të vendosim në plan të dytë dimensionin e jashtëm.
Sipas analizës së strategjive kombëtare të shumicës së vendeve anëtare të BE-së, në aspektin e mbrojtjes së infrastrukturës kritike kombëtare dhe evropiane, si dhe hapat e ndërmarrë nga ato vende që tashmë janë pjesë e procesit të negociatave për anëtarësim me unionin, tha Spasovski, përfundimi është se shumica e shteteve i rregullojnë këto çështje nëpërmjet miratimit të ligjeve të veçanta për mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
“Nevoja për miratimin e një ligji të posaçëm për mbrojtjen e infrastrukturës kritike është paraparë tashmë si obligim ynë në Planin e Përbashkët të Veprimit për Luftimin e Terrorizmit, të cilin në tetor të vitit 2019 e nënshkruam me Komisionin Evropian dhe i cili mori përsipër përgatitjen dhe miratimin e ligjit. Por, ky nuk është vetëm obligim në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, por është detyrë ndaj vetes, përgjegjësi ndaj shtetit dhe qytetarëve tanë”, përfundoi ministri Spasovski në fjalën e tij.
SHARE