“Sot është ditë e demokracisë, ditë kur qytetarët e Maqedonisë mund ta realizojnë të drejtën e tyre për të votuar në kuadër të zgjedhjeve të qeta, të ndershme dhe demokratike, për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe këshillat komunalë që në të ardhmen do t’i menaxhojnë njësitë e vetëqeverisjes lokale”, deklaroi mëngjesin e sotëm ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pasi votoi në njërën nga qendrat e votimit.
Toshkovski theksoi se procesi i votimit ka filluar në të gjitha vendvotimet në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.
“Atmosfera është e qetë, demokratike dhe fer. Pres që e tillë të mbetet deri në fund. I ftoj të gjithë qytetarët të dalin dhe ta realizojnë të drejtën e tyre të votës, duke përcaktuar hapat e ardhshëm për zhvillimin e Maqedonisë në nivel lokal, me qëllim krijimin e një të ardhmeje që e meritojnë qytetarët tanë. Sot janë të angazhuara mbi 90 për qind e forcave të MPB-së, të fokusuara në sigurimin e një procesi të qetë zgjedhor, dhe po ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për këtë,” theksoi ministri Toshkovski.
Ai shtoi se policia është e pranishme në terren, e shpërndarë në të gjitha zonat dhe monitoron të ashtuquajturat “pika të nxehta”.
“Të dielën kemi evidentuar katër raste të mundshme të shkeljes së heshtjes zgjedhore, të lidhura me veprime të kundërligjshme. Po veprojmë sipas procedurave përkatëse,” shtoi Toshkovski.