Ministria e Arsimit nuk pranon mbylljen e shkollave për dy muaj gjatë dimrit

Qeveria do t’i shfrytëzoj të gjitha mundësitë që procesi edukativo arsimor të mos dëmtohet për shkak të krizës energjetike.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha për Alsat se institucionet punojnë që mësimi me prezencë fizike të mos ndërpritet. Ai tha se në Ministrinë e Arsimit nuk ka arritur asnjë kërkesë nga krerët e komunave për riorganizim të vitit shkollor. Këtë të fundit tashmë e kanë kërkuar kryetarët e komunave të Pollogut me sqarimin që pushimi dimëror të zgjatet ndërsa viti shkollor të vazhdojë në qershor. Gjithashtu, viti i ri shkollor mos të nis në 1 shtator por më 15 gusht.

“Do të bëhet një analizë të treguesve financiar, një analizë të treguesve të buxhetit, një analizë të shfrytëzimit të mjeteve të buxhetit. Të gjithë punojmë për këtë gjë por përsëri do të vazhdoj ta them se shumë është e rëndësishme që mësimi të jetë me prezencë fizike, nxënësit të jenë me prezencë fizike dhe ne të tjerët të bëjmë gjithçka që mësimi sa më gjatë të jetë me prezencë fizike”, tha Jeton Shaqiri, ministër I Arsimit dhe Shkencës. /Alsat.mk