Ministria e Arsimit tërheq vendimet për rikthimin e drejtorëve të shkollave në Gostivar

0

Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën të ditur se tërheq vendimet për rikthimin e drejtorëve të shkollave në Gostivar në pozitat e punës prej të cilave ishin shkarkuar në mënyrë jo ligjore. Në komunikatë theksohet se vendimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës rrodhën nga vendimet e Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative dhe Procedurë për Marrëdhënie Pune në Shkallën e Dytë të cilat diktonin pikërisht që drejtorët e shkarkuar në mënyrë jo ligjore në shkollat e Gostivarit të rikthehen në pozitat e tyre të punës.
“Kjo tërheqje e vendimeve nga MASH mbështetet në synimin dhe angazhimin maksimal që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme, në një atmosferë të qetë e korrekte, duke dashur të evitojë çdo alibi dhe tentativë për të damkosur këtë proces shumë të rëndësishëm për shoqërinë dhe vendin.Ky veprim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës vjen pavarësisht se kemi të bëjmë me një situatë të pastër juridike ku janë konstatuar shkelje të ligjit nga ana e kryetarit të Komunës së Gostivarit. Si Ministria e Arsimit dhe Shkencës ashtu edhe kryetari i Komunës së Gostivarit janë të obliguar të respektojnë deri në fund vendimin e Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative dhe Procedurë për Marrëdhënie Pune në Shkallën e Dytë, si dhe të veprojnë konform këtyre vendimeve”, thekson MASH.
Më tej nënvizohet se MASH është institucion që vepron vetëm në përputhje me Ligjin dhe në përputhje me vendimet e institucioneve dhe organeve të tjera përgjegjëse për kontrollin, mbikëqyrjen dhe vendimmarrjen ndaj situatave të caktuara, siç është edhe rasti konkret në komunën e Gostivarit.
“Pas mbikëqyrjeve inspektuese nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit ishin konstatuar një sërë parregullsish dhe mosrespektim i ligjeve nga ana e kryetarit të komunës së Gostivarit dhe vetëqeverisjes lokale lidhur me procedurat për shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve të shkollave. Procedura para Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative dhe Procedurë për Marrëdhënie Pune në Shkallën e Dytë, ku edhe u konstatuan shkeljet e bëra nga ana e kryetarit të Komunës, ishte ngritur nga vetë drejtorët e shkarkuar”, thekson MASH. (INA)