Sektori i Krimit Kibernetik në Byronë e Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme ka vërejtur kohët e fundit një dukuri të shpeshtë të të ashtuquajturave sulme phishing përmes email-it, në të cilat emrat e disa kompanive maqedonase keqpërdoren me qëllim mbledhjen e paautorizuar të të dhënave prej tyre. Këto mesazhe pretendojnë në mënyrë të rreme se keni kryer shkelje të të drejtave të autorit dhe përmbajnë lidhje “phishing” për dokumentacion të dyshuar ose kërkesa për të ndërmarrë veprime, thotë Ministria e Brendshme.
Është e rëndësishme dhe domethënëse që qytetarët, pra kompanitë, të dinë se mesazhi nuk është dërguar nga kompania e vërtetë, të mos klikojnë në lidhjet ose bashkëngjitjet në mesazh, të mos i përgjigjen mesazhit, të mos ndajnë informacione personale dhe ta fshijnë menjëherë mesazhin.
Sektori i Krimit Kibernetik në Ministrinë e Brendshme po merr masa dhe po zhvillon procedura në mënyrë aktive në lidhje me mashtrimet e tilla. Nëse keni marrë një mesazh të tillë ose jeni viktimë e një mashtrimi të ngjashëm në internet, raportojeni menjëherë rastin në stacionin më të afërt të policisë.
Përpjekjet për “phishing” zakonisht vijnë nëpërmjet email-it, por edhe nga rrjetet sociale, nëpërmjet mesazheve SMS ose nëpërmjet telefonatave.
Prandaj, Ministria e Brendshme, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve, të dhënave të tyre personale dhe keqpërdorimit të mundshëm dhe pasojave që mund të lindin, apelon për kujdes gjatë marrjes së mesazheve të tilla, që të mos bien pre e mashtrimeve të këtij lloji dhe të mos ndajnë dhe shkëmbejnë të dhënat e tyre personale me persona të panjohur, si dhe me persona identiteti i vërtetë i të cilëve nuk mund të përcaktohet, me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të mëtejshëm të tyre, njoftoi Ministria e Brendshme.