Ministria e Jashtme refuzon kërkesën e Gjuriqit për të hyrë në Kosovë

0

Ministria Kërkesa e drejtorit të Zyres për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, për hyrje në Kosovë të dielën, në ditën e zgjedhjeve për kryetarët e komunave veriore, është refuzuar nga autoritetet e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari politik i ministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Jetlir Zyberaj.

“Kërkesa e tij është refuzuar për shkak që nuk është në përputhje me marrëveshjen e Bruskelit, ku kërkesat duhet të adresohen vetëm gjatë ditëve të punës dhe jo në fundjavë”, ka thënë Zyberaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme e ka marrë këtë vendim në koordinim me autoritetet e sigurisë në Kosovë, për të parandaluar çdo shkelje të mundshme apo tentim-hyrje ilegale në Kosovë.

Gjuriq kishte deklaruar për mediat në Serbi se ai do të jetë i pranishëm në ditën e zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës, përkundër refuzimeve të njëpasnjëshme nga autoritetet e Kosovës për vizitë.

Marko Gjuriq ishte arrestuar në mars të vitit të kaluar nga Policia e Kosovës, pasi nuk e kishte përfillur ndalesën e autoriteteve të Kosovës dhe kishte hyrë në Kosovë.